
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar takimin elektoral në Gjirokastër, bashkë me kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkitë Gjirokastër, Memaliaj e Tepelenë, Përmet, Dropull dhe Këlcyrë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka komentuar gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës, ndërsa tha se kreu i qeverisë përdor gjuhë banale dhe logjikë cubi kur i drejtohet qytetarëve.
‘Qytetarët për të janë të shpërfillur. Ju e shifni si kalon nga takimi në takim, me një fjalor të varfër me 5 fjali, banal, të turpshëm, zorra qorre, zorra e hollë, kështu më tha gjyshja, kështu më ka thënë gjyshja, nuk kam motër se je çun i mirë, apo po votove opozitën nuk të jap para. Shikoni logjikën e një cubi, e një njeriu që nuk asnjë lloj norme, standardi moral, jo më demokratik’, tha Berisha.
Ndërsa ai bëri thirrje se, 14 maji është dita e ndryshimit dhe dita në të cilën do të vendoset për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen.
‘14 maji do të jetë gjithashtu dhe dita në të cilën ne vendosim për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen. Ju garantoj se Edi Rama nuk mund të qëndrojë kurrë më gjatë në pushtet’ tha kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës në Gjirokastër. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





