
“Kualifikimi është shumë afër për Interin”. Ky është ‘verdikti’ i Fabio Capellos, i cili pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të fituar 2-0 nga skuadra e Simone Inzaghit ndaj Milanit, nisi një goditje shumë të fortë ndaj kuqezinjve dhe trajnerit Stefano Pioli:
“Ai nuk po gjen dot kundërmasa, nuk është derbi i parë që luhet kështu. Mesfusha nuk është filtruar asnjëherë, mesfushorët e Interit kanë qenë gjithmonë të lirë dhe kanë krijuar dyfish më shumë probleme”.
Sipas ish-trajnerit të Milanit, i cili fitoi Ligën e Kampionëve në krye të kuqezinjve më 1994, Calabria dhe shokët e tij bënë "gabime të turpshme në pjesën e parë", që çuan në një disavantazh të vështirë për t’u përmbysur në ndeshjen e dytë: “Çfarë do të thosha, nëse do të isha trajner i Milanit? Do t’iu kërkoja të gjithëve të kujtojnë gabimet e bëra”.
Përmbysja në gjysmëfinalen e kthimit do të jetë e vështirë për kuqezinjtë, por sipas Capellos ka ende një fije shprese: "Interi u relaksua pak në pjesën e dytë, por kemi edhe një ndeshje tjetër. Me siguri Milani ka për të luajtur ndryshe në kthim”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





