Transmetuar më 11-05-2023, 10:43

Durrës- Aksident detar në Adriatik. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës. Një peshkarexhë dhe një velierë e vogël me flamur anglez janë përplasur në det të hapur.

Forcat e rojes bregdetare kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi. Mësohet se as peshkatarët dhe as dy shtetasit anglezë që ndodheshin në bordin e velierës “Blue Moon” nuk kanë pësuar dëmtime përveç tronditjes nga përplasja.

Paraprakisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur rreth 15 milje larg bregut.

Veliera është përplasur në pjesën e bashit me një peshkarexhë që kishte dalë për gjueti në det.

Në pritje të ndihmës, peshkarexha “Perëndesha” e ka tërhequr velierën drejt portit të Durrësit ku pritet të qartësohen edhe detajet e këtij aksidenti detar në një hapësirë ujore, ku trafiku nuk është i rënduar.

Brenda më pak se 24 orëve ky është incidenti i dytë detar. Një ditë më parë si rezultat i përplasjes nga trageti i linjës Durrës-Bari u mbyt anija e peshkimit “Elton I”, ndërsa policia kufitare shpëtoi nga mbytja ekuipazhin e saj, që arriti të përdorë mjetin e shpëtimit që kishin në anije, pak çaste para fundosjes së peshkarexhës.