



Mitingu përmbyllës i fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit në Elbasan, ishte i mbushur me sulme ndaj kryedemokratit Sali Berisha, përmes një fjalimi të gjatë të kryeministrit, ku sugjerohej se bashkëpunimi me ndërkombëtarët varet nga largimi ose jo i Berishës nga skena politike.
Qendra e qytetit ishte mbushur me karrige për qindra mbështetës socialistë që u mblodhën mbrëmjen e së martës në përgjigje të thirrjes së kryeministrit.
Edi Rama e nisi menjëherë fjalimin me skemën e sulmit ndaj Berishës, pak orë pasi sondazhe të ndryshme sugjeronin se demokratët janë në epërsi ndaj socialistit Gledian Llatja, një personazh i së majtës që nga opozita shihet se nuk ka sjellë në Elbasan zhvillimin e pritshëm pas stanjacionit disavjeçar nën drejtimin e Qazim Sejdinit.
Gjatë fjalimit, Rama tha: "Këta aleatë të mëdhenj kanë një problem me ne, jo e ne që jemi këtu, por kanë një problem me votuesit shqiptarë sepse duan të dëgjohen dhe të respektohen në një kërkesë që kanë bërë.
Problemi i tyre është ai që kanë shprehur me shkrim, me vulë, e që e kanë përsëritur me zë e me figurë disa herë. Problemi i tyre është që ata duan të na mbështesin çdo hap e më shumë. Duan që çdo hap e më shumë ne të bëhemi më të fortë, por ama thonë, ju lutemi shumë, o popull shqiptar, këtë tipin nuk duam ta shohim me sy. Na e hiqni nga sytë sepse është i padëshirueshëm për ne e natyrisht ata nuk na drejtohen ne, se për ne ai ka qenë i padëshirueshëm denbabaden, për Partinë Socialiste, për të gjithë ne sepse socialistët e progresistët ia kanë parë faqen e zezë përpara se sa faqja e tij të nxihej nga vula non grata dhe duke iu nxirë faqja e tij, të mbetet si një hije për Shqipërinë për sa kohë shqiptarët të mos e largojnë nga skena përfundimisht e të mos i japin asnjë votë".
Në vazhdim Rama foli sërish për votuesit shqiptarë duke i orientuar se çfarë sipas tij ata duhet të bëjnë më 14 maj:
"Tani, këtu sigurisht që secili nga ju që keni ardhur e që shumë të tjerë që nuk janë këtu sot por që do t’ju bashkohen ju për të votuar në 14 maj, e dini shumë mirë se për çfarë duhet të votoni, por ka të tjerë në Elbasan, në Gramsh, në Përrenjas, në Librazhd, Cërrik, Belsh, Peqin. Ka të tjerë të cilët çuditërisht akoma nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është që në 14 maj të japin kontributin e tyre shumë të vogël në funksion të asaj që është një marrëdhënie shumë e madhe e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara e me të gjithë perëndimin. Nëse janë Shtetet e Bashkuara ato që ia kanë vënë vulën në lule të ballit atij faqes së zezë së këtij vendi, është i gjithë perëndimi që i ka mbyllur derën dhe të kuptojnë që në 14 maj, aleatët tanë, partnerët tanë, miqtë tanë nuk do numërojnë votat e Partisë Socialiste.
… por ama do të shohin patjetër, sa vota ju dhanë këta këtij gërdallës që vjen vërdallë…"
Duke vazhduar të flasë në emër të ndërkombëtarëve, Rama citoi dhe pyetjet që ai tha se ata parashtrojnë nëse votohet Berisha:
"Çfarë kanë këta? Pse e bëjnë këtë? Pse nuk e konsiderojnë këta kërkesën tonë kur ne jemi këtu miqtë e tyre, jemi garancia për sigurinë e tyre, jemi garancia për ecurinë e tyre, jemi siguria për ardhmërinë e tyre. Këta çfarë kanë, pse, për çfarë arsye këta vazhdojnë këmbëngulin që nuk ka gjë?
Amerika thotë “Korrupsion madhor” domethënë gjithë të zezat bashkë kurse këta thonë “Prova. Ke prova?”
Cilat prova? Për çfarë? Provat që ne i dimë të gjithë dhe që kemi qenë dëshmitarë të atyre provave dhe që kemi vite që kërkojmë që për ato prova drejtësia të veprojë? Nuk i dimë provat ne? I di gjithë Shqipëria provat!"
Një monolog i gjatë plot tallje për kandidatin e Berishës, Luçiano Boçi:
"Këtu në Elbasan ka një fenomen që unë kam një kënaqësi të madhe kur flas për të sepse më heq mallin e Lul Bashës, i njëjti fyell, me të njëjtin okllai të ngrënë komplet dhe me të njëjtin kostum pa asnjë rrudhë. E keni parë, asnjë rrudhë kostumi. Komplet okllaia drejtë, qafa e hollë që del nga këmisha, buzëqeshja stampë dhe shalimi në rrena nga mëngjesi deri në darkë. Është shumë i madh ai! Domethënë, njerëz që nuk kanë as gjak, nuk kanë as nerv, nuk kanë as minimumin e turpit fare, nuk skuqen, nuk zverdhen, të shohin në sy dhe të gënjejnë sikur po këndojnë ndonjë këngë popullore. Se nuk po merrem me ata të tjerët se nuk i njoh fare, por këtë e kemi pasur aty dhe po mendoja qëparë kur u ulëm këtu dhe thashë Elbasani e ka dhe më të thjeshtë, mjafton të shohë Luluçin dhe Evisin dhe të kuptojë dallimin. Është shumë e thjeshtë, profesor për profesor. Se çfarë profesori është ai unë nuk e di, por nuk po i hyj asaj pune por profesor universiteti për profesor universiteti, elbasanlli për elbasanlli, njëra krenari e gjithë qytetit e tjetri sikur ka dalë nga arkiva e Kinostudios, ka rregulluar flokët e Koçit të teto Ollgës dhe ka ardhur këtu për të shitur breshka dhe krokodilë. “Do ta bëjmë Elbasanin sheshxhirimi”. Po, sheshxhirimi që të dalë ky dhe të aktrojë çdo mëngjes dhe t’iu shalojë në rrena nga mëngjesi në darkë. Kishte bërë dhe një të bukur tani në fund, se i them Damianit, më ço ndonjë nga ato të atij se më jep shumë humor ai. Ishte një e bukur shumë. “Ne me guxim do kemi produktet Made in Elbasan”. “Made in Albania” kisha dëgjuar, por “Made in Tropoja”, “Made in Vlora” dhe “Made in Elbasan” nuk kisha dëgjuar ndonjëherë se nuk bëjnë italianët, thonë “Made in Italy?, nuk thonë “Made in Roma”, “Made in Palermo”, kurse ky do t’i bëjmë “Made in Elbasan”, këpucët për shembull; do vishni këpucë që i bën Luluçi “Made in Elbasan”. “Nuk do kemi nevojë fare për qeverinë”, – thoshte, “ne do kemi produktet tona Made in Elbasan”. Po kur t’iu bëjë atë xhaketën parulla “Made in Elbasan” dhe të gjithëve t’iu japë nga një okllai të gjatë që ta fusni të gjithë dhe që të rrini drejt pastaj e të thoni “Çfarë i bëmë vetes”. Luluç; i them Luluç se është Lul Basha dhe Luç Boci, prandaj i them Luluç se është një, e ka lënë Lul Basha si kujtim. Si mund të votohet, më thoni? Sado kështu për ta parë është goxha zdap si puna ime, por është kandidati i faqes së zezë, të gjithë ata janë kandidatët e faqes së zezë. Vetëm fakti që i kanë dhënë fytyrën, emrin, pamjen, zërin, mendjen, shpirtin faqes së zezë të Shqipërisë që është SaLike Floriri, ata nuk meritojnë të konsiderohen për të marrë votë. Çfarë do bëjë ai? Se thonë që kërcënon Edi Rama se thotë po votuat këta nuk ka bashkëpunim me qeverinë. Nuk është kërcënim, është fakt, çfarë do bashkëpunoj unë me atë, për të bërë këpucë “Made in Elbasan” apo për të bërë shami këtu për xhepin e xhaketës? Si të bashkëpunoj me ata? Me ata nuk bashkëpunohet sepse nuk dinë të bashkëpunojnë dhe nuk duan të bashkëpunojnë dhe ju e shikoni. SaLikja e thotë edhe kur shfaqet në atë formën e gërdallës së madhe, edhe kur shfaqet në formën e Floririt të vogël, të njëjtën gjë thotë, “na jepni votat të përmbysim qeverinë”. Domethënë, hajdeni ju të gjithë pas sherrit që të hapim sherr me qeverinë e pastaj e ka radhën me Amerikën sherri, se do t’i themi Amerikës “Këtu votuan shqiptarët, tani hajde e fol me ne këtu” siç thoshte Haxhi Qamili “Sa të kem sharrën, nuk pyes për Francën”. Kështu dhe “ky-këta” por është “ky-këta”, një janë ata, një hall me dy koka. Një hall i madh shumë, me vulën në ballë, me kontot bankare që po dalin mbi ujë si ato shishet që sillnin letrat e anijeve që ishin duke u mbytur, kontot nëpër bankat e huaja offshore. Kur thoshin për mua “i ka offshore, i ka offshore” iu thosha këtyre: ore këta më duket i kanë offshore se nuk ka mundësi, se ngaqë i kanë vet kujtojnë se i kam dhe unë, edhe ata “offshore, offshore” mua, kur iu dolën offshore-t dhe prit se sa kanë filluar. Jo në Qipro, jo këtu e jo aty. Po mirë, çfarë duan këta tani? Se ato lek nuk i kanë bërë me punë apo jo? Nuk kanë punuar nëpër këto fasoneritë e “Made in Elbasan” dhe kërkojnë votën për këtë sherr, që të marrin bashkinë e Elbasanit. S’kanë për ta marrë se do marrin Noc Rokun, por llafi që vjen, ta marrin bashkinë e Elbasanit ose qoftë bashkinë e Gramshit a Cërrikun a nuk e di, të futen aty brenda dhe të bëjnë atë që kanë bërë sa herë iu bie pushteti në dorë".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





