Transmetuar më 09-05-2023, 15:03

Stefano Pioli, i angazhuar në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes Milan-Inter, derbit të parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve, ka folur për kushtet e Rafael Leaos, në dyshime të forta për ndeshjen e nesërme, pas problemit muskulor të pësuar ndaj Lazios.

Megjithatë, trajneri i kuqezinjve tha se ka ende shanse për rikuperimin e portugezit, që punoi ndaras sot në stërvitje: “Nesër do të jetë këtu me ne dhe do të përpiqet të shtyjë. Nëse është mirë, do të jetë në ndeshje dhe mund të luajë”.

Për Leaon, pra, pritet një test përfundimtar dhe vendimtar që do të zhvillohet nesër në mëngjes, ose disa orë nga fillimi i sfidës me zikaltrit. Megjithatë, Pioli duket se synon të mos marrë rreziqe të tepërta, duke qenë se gjysmëfinalja e dytë do të luhet gjashtë ditë më vonë:

"Prania e tij do të varet nga intensiteti i punës që do të jetë në gjendje të bëjë nesër. Për cilësinë dhe karakteristikat e lojtarit ai duhet të jetë 100%. Pra, të jetë në gjendje të luajë, ose nuk do të jetë as në stol".

Trajneri i “Djallit” zbuloi edhe si po përgatiten për këtë derbi të veçantë gjysmëfinal të Champions-it, që mungonte nga viti 2003: "Shpresoj se kam arritur t’iu përcjell lojtarëve mbi të gjitha lumturinë dhe entuziazmin që duhet të kemi në përgatitjen për këtë sfidë.

Rruga jonë ka qenë e jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, e dini nga e kemi nisur dhe ku duam të arrijmë. Kur një grup i përgatit gjërat me vëmendje dhe përqendrim, është e drejtë të ketë këtë qetësi para ndeshjeve.

Puna e trajnerit mbështetet shumë në energjitë mendore që duhet të transmetohen në ekip. Po flasim për Champions League, sfidat që kemi kapërcyer kundër kundërshtarëve të nivelit të lartë. Kemi folur për Tottenham, Napoli dhe ku jemi. Kemi qenë të mirë në përballimin e këtyre kundërshtarëve, presim një kualifikim të ngjashëm me ato lloj ndeshjesh.

Mes nesh dhe Interit kanë qenë gjithmonë ndeshje të balancuara, me përjashtim të Superkupës. Duhet të jemi shumë të përgatitur për ndeshjen e nesërme, pastaj do të kuptojmë se çfarë interpretimi do t’i japim gjysmëfinales së kthimit. Do të nevojiten nivele të larta fizike, motivuese dhe teknike. Do të duhet të luajmë një ndeshje të madhe nesër, skuadra është mirë dhe gati.

Ankthi nuk do të na jepte asnjë shans për t’u shprehur në maksimum. Do t’iu këshilloj lojtarëve të flenë, të pushojmë, sepse do të duhet të japim shumë nesër. Do të na duhet energji maksimale për të pasur një ndeshje të mirë. Ne mund të ëndërrojmë, por pastaj fusha e lojës do të flasë”.

Trajneri Pioli tregon se çfarë mund ta bëjë dallimin në këtë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve: “Do të duhet punë e madhe ekipore, siç bëmë në 4 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Për të marrë një rezultat të jashtëzakonshëm duhet të bëni një punë të jashtëzakonshme.

Ne do të përpiqemi. Historinë e Milanit në këtë kompeticion nuk e përjetojmë si presion, por më shumë si shtysë, na jep forcë. Presioni i historisë së klubit na dha më shumë besim dhe forcë, më shumë bindje. ADN e Champions-it ekziston te Milani, është skuadër e këtyre momenteve, e këtyre emocioneve. Ka ditur gjithmonë të jetë protagonist në Ligën e Kampionëve".

Po çfarë pret nesër në mbrëmje trajneri i kuqezinjve? Përgjigjet prerazi dhe pa hezitim Pioli: "Një ndeshje shumë të vështirë, por e bukur për t’u luajtur. Interi është favorit? Për të tjerët ndoshta, jo për ne".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd