Transmetuar më 09-05-2023, 10:26

Shtëpia e Rodrygo Goes u plaçkit gjatë fitores 2-1 të Real Madridit në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Osasuna, të shtunën, pasi braziliani shënoi dopietën fituese për të tijtë. Rezidenca, në periferinë ekskluzive të Madridit, në zonën “La Moraleja”, ishte pa njeri në atë kohë, pasi prindërit e Rodrygo po e ndiqnin ndeshjen në Seville.

Policia mblodhi provat, pasi u lajmërua nga një punonjës i kompanisë përgjegjëse për sigurinë e shtëpisë. Oficerët policorë gjetën disa nga dhomat e rezidencës të çrregullta, por ende nuk është përcaktuar se çfarë kanë vjedhur hajdutët. Grabitja u raportua fillimisht nga gazeta “20 minutos” dhe agjencia e lajmeve EFE.

Rodrygo, 22 vjeç, kaloi Real Madridin në avantazh në minutën e dytë të finales së Kupës së Mbretit, në stadiumin “La Cartuja”. Më pas riktheu epërsinë e të tijve në minutën e 70-të, pasi Lucas Torro kishte barazuar përkohësisht për Osasuna 1-1. Ai u zgjodh si MVP i finales nga trajneri i Spanjës Luis de la Fuente dhe stafi i tij.

Një numër i shtëpive të futbollistëve janë vënë në shënjestër si në Madrid, ashtu edhe në Barcelonë vitet e fundit. Shpesh ato janë mësyrë dhe plaçkitur kur lojtarët kanë qenë të angazhuar në ndeshjet e tyre.

Shtëpia e Karim Benzema u grabit në janar 2022, pasi më parë kishte qenë “viktimë” e një plaçkitje tjetër në shkurt 2019. Ish-mesfushori i Real Madridit, Casemiro, tani pjesë e Manchester United, Isco dhe anësori Lucas Vazquez, gjithashtu e kanë pësuar nga “skifterat”.

Në gusht 2022, sulmuesi i atëhershëm i Barcelonës, Pierre-Emerick Aubameyang u sulmua brenda shtëpisë së tij nga një bandë e armatosur me shufra hekuri.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd