Transmetuar më 08-05-2023, 23:06

KOSOVË- Një qytetar nga Mitrovica i identifikuar me emrin Kujtim Boletini është vënë në prangat e policisë në Kosovë, pasi hoqi flamujt serbë nga Maja e Zveçanit. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani arrestimi i tij është bërë për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit”. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një armë zjarri.

“Me të marrë informacionin Policia e Kosovës ka filluar hetimet dhe ka arrestuar të dyshuarin që akuzohet për nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit. Gjatë bastisjes, atij iu gjet edhe një armë në shtëpi. Me vendim të prokurorit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, tha Elshani.

Pas procedimit në gjendje të lirë, Kujtim Boletini ka treguar arsyet pse hoqi flamujt serbë nga Maja e Zveçanit, duke pretenduar se ky është një provokim nga autoritetet serbe. Ai tha se sot rreth orë 14:00, afër 100 policë, bashkë me prokurorin ia kishin rrethuar shtëpinë.

“Sa të jam gjallë nuk lejoj në fshatin tim të më provokojnè strukturat serbe, se nuk më lë ndërgjegjia dhe varri i Isa Boletinit”, shkruan Boletini.

Gjithashtu, ai u shpreh se këtë veprim e bëri pasi është betuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, se nuk lejon që në fshatin e tij të provokohet nga sturkturat serbe.