
Java e 32-të e Superiores e sheh Partizanin të angazhuar në fushën e vet, kundër Kukësit. Të kuqtë janë ende matematikisht në lojë për titullin, por duhet të gabojë Tirana kryesuese që të kenë shpresa.
Me derbin e madh të kryeqytetit për t’u luajtur ende mes tyre për fazën e katërt, “demat” nuk duan të dorëzohen para kohe, edhe pse aktualisht janë 5 pikë mbas bardhebluve kryeqytetas. Trajneri Giovanni Colella bëri prognozën e tij në konferencën e zakonshme:
“Mendoj që nuk duhet ta shikojmë klasifikimin pasi duke parë që skuadrat janë mjaft të ngjeshura. Duke studiuar kampionatet sezonet e shkuara, kam evidentuar se skuadrat e vendeve të fundit duhet të kishin 10-12 pikë, por tashmë vendi i fundit ka 32 pikë, prandaj për këtë fakt të gjitha ndeshjet janë të vështira.
Kam idetë e mia, sigurisht që të gjitha skuadrat kanë pikat e forta ose të dobëta njësoj si edhe ne. Nuk më intereson nëse ne luajmë pas, apo Tirana përpara. Mendoj që janë ndeshje shumë të rëndësishme si ajo me Kukësin, por edhe derbi me Tiranën, nuk ka kohë për të rikuperuar.
Janë të gjitha ndeshje të rëndësishme duke përmendur dhe ato të mëparshmet me Erzenin dhe Bylisin, sepse nuk na lejohet asnjë hap i gabuar. Unë mund të flas vetëm për skuadrën time, por është e qartë që nëse bardheblutë nuk bëjnë asnjë hap të gabuar, e fitojnë me meritë titullin.
Ka pak presion, por nuk është negativ. Është normale duke ditur që luan në një skuadër të madhe, me objektiva madhorë, paguhemi për të përballuar këtë presion, kështu që është e drejtë dhe normale, duhet të jesh i përgatitur për ta përballuar, qofsh trajner apo futbollist.
Edhe Erzeni ishte një skuadër që nuk kishte fituar javët e fundit, por nuk ishte ndeshje e lehtë, kështu që nuk ka përballje të thjeshta në kampionat. Ka presion si për ne, edhe Kukësin, do të jetë e vështirë për të dyja palët.
Preka ka luajtur dy ndeshje, do ta shikojmë nesër përzgjedhjen e lojtarëve. Në këtë moment është matematikë e thjeshtë, nëse nuk fitojmë ndaj Kukësit është e kotë që të mendojmë për derbin. E ardhmja? Përsa i përket rinovimit të kontratës, kjo i takon presidentit Gazment Demi dhe klubit.
Unë do të jap maksimumin deri në përfundim të kontratës sime dhe në fund vendosim të dyja palët. Jam përgjigjur pak kohë më parë, unë mund të vazhdoj edhe nëse nuk fitoj titullin, por mendimi im vlen vetëm 50%. Kam dashur shpesh në karrierën time që të vazhdoj, por s’më kanë rinovuar.
Unë mendoj që palët kanë diskutuar një marrëveshje mes xhentëllmenësh. Edhe pse po i afrohemi fundit të sezonit, unë jam i përqendruar te fusha e lojës. Kur të mbarojë do të bëjmë llogaritë dhe do të vendosim.
Klubi është i kënaqur nga puna ime, por gjërat mund të ndryshojnë. Në këtë moment duhet ta mbyllim sa më pozitivisht kampionatin, nuk ka rëndësi çështja e kontratës. Unë kam besim te fjala që personat i japin njëri tjetrit. Jam i bindur që kam folur me persona që mendojnë si unë, shqetësimi i vetëm është të mundim Kukësin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





