
Tridhjetë vjet burgim vendosi gjykata italiane për 36 vjeçaren shqiptare, Elona Kalesha. Ajo është dënuar për vrasjen e dyfishtë pas masakrimit që i bëri bashkëshortëve Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52 vjeç, prindërit e ish-të fejuarit të saj, Taulant Pasho.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2015, por gjetja e trupave të Shpëtim dhe Teuta Pashos ndodhi vetëm 5 vite më vonë, në 2020, brenda katër valixheve në një fushë në periferi të qytetit, midis autostradës Firenze-Pisa-Livorno dhe burgut Solliçiano.
Elona Kalesha është e vetmja e akuzuar për vrasje të dyfishtë. Ajo u dënua të enjten me 30 vite burg nga gjyqtarët e Gjykatës së Assizes në Firence.
Hetimet arritën në përfundimin se trupat e copëtuar i përkisnin Shpëtim dhe Teuta Pashos, të zhdukur prej 5 vitesh (2015-2020).
Sipas hetimeve, dyshimet ranë mbi rrethin familjar të bashkëshorteve Pasho, konkretisht mbi Elona Kaleshën, të fejuarën e atëhershme të djalit të tyre, Taulant Pasho.
Taulant Pasho sapo kishte dalë nga burgu dhe prindërit e tij kishin udhëtuar për në Itali për ta takuar, por atje gjetën vdekjen.
Sipas hetimeve Elona Kalesha po priste një fëmijë nga një burrë tjetër.
Kjo ka qenë arsyeja, që 36-vjeçarja vrau dy prindërit e të fejuarit të saj, pasi u druhej çiftit Pasho se ata mund t’i tregonin të vërtetën djalit të tyre se fëmija nuk ishte i tiji.

Në seancën e së enjtes ku Kalesha u dënua me 30 vite burg ishte i pranishëm edhe Taulant Pasho.
“Ajo është fajtore dhe vendimi thotë të njëjtën gjë. Është e vështirë për mua që ta komentoj. Kam jetuar dhjetë vjet me këtë person”, është shprehur ai.
Taulanti ndoqi leximin e vendimit të gjykatës së bashku me dy motrat e tij Dorina dhe Vito, të cilat shpërthyen në lot.
Ndërkohë xhaxhai i tyre, Dritani kishte veshur një bluzë me foton e të vëllait të tij dhe gruas së Shpëtimit, Teuta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





