
Jorge Messi i komunikoi Luis Campos një muaj më parë se nuk kishin ndërmend ta respektonin marrëveshjen verbale që kishin nënshkruar përpara Kupës së Botës për të rinovuar kontratën, që e lidhte lojtarin argjentinas me PSG.
Që atëherë, marrëdhënia mes klubit dhe lojtarit ka shkuar keq e më keq. Lajmet negative janë mbledhur njëri pas tjetrit dhe e derdhën kupën me vendimin e klubit parizien për ta pezulluar kampionin e botës dy javë, pa të drejtë page për 15 ditë, sepse mungoi në stërvitje të hënën dhe shkoi pa leje në Arabinë Saudite.
Një muaj i vështirë për t’u asimiluar në Paris, një kohë në të cilën zemërimi i Al Khelaïfi ka shkuar në ‘kreshendo’ për atë që ai e konsideron vendim të papritur nga një prej yjeve të tij. Në çdo rast, një lëvizje që PSG-ja e ka marrë duke e ditur lamtumirën e Messit në fund të sezonit. Ndryshe, vështirë ta kishte pezulluar me 2 javë.
As Emiri i Katarit dhe as presidenti Al Khelaïfi nuk janë mësuar të marrin refuzime. Asgjë dhe askush nuk është mbi klubin, sipas tyre. Një kthesë e madhe nga qëndrimi mbivlerësues karshi yjeve në sezonet e fundit, që janë paguar me miliarda, por nuk e fituan dot Champions League, fiksimin e sheikëve në krye të PSG-së.
Përballë një situate të tillë, shkuarja e Leos drejt Arabisë Saudite u përdor si një mjet për të kthyer rrotën e historisë. Argumenti i lojtarit është se kur ai u njoftua për ndryshimin në planifikim dhe stërvitje të hënën, tashmë po fluturonte për eventin publicitar të rënë dakord muaj më parë.
Megjithatë, PSG vlerëson se bëhet fjalë për një mungesë disipline që përfshihet në rregulloren e brendshme të klubit dhe që parashikon një gjobë, në këtë rast dy javë punësim dhe pagë. Në horizont duket edhe ligjshmëria e sanksionit.
Sipas disa juristëve dhe specialistëve të së drejtës së punës, 15 ditët pa punë apo pagë mund të konsiderohen të tepërta për faktin e thjeshtë të mungesës së një dite pune pa leje. Messi nuk kishte pasur më parë dosje të asnjë lloji për këtë apo ndonjë çështje tjetër indisiplinimi.
Një arsye më shumë për mospërputhje mes lojtarit dhe klubit, një marrëdhënie e acaruar që nuk u kujdes ta zbusë as sektori ultras i tifozëve parizienë, nisur nga ofendimet ndaj Leos në protestën e së mërkurës, para selisë së klubit. Ajo që nisi si ëndërr në kërkim të Ligës së Kampionëve të parë për PSG-në dhe Messin jashtë Barcelonës, po përfundon si një makth…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





