Transmetuar më 03-05-2023, 22:06

Beograd- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar përmes një deklaratë për mediat pas masakrës me 9 të vrarë në shkollën fillore ‘Vladislav Ribnikar’ në Vraçar.

Ai tha se adoleshenti që vrau 8 nxënësit dhe rojen e sigurisë në shkollë do të dërgohet në një klinikë psikiatrike, babai si pronar i armës është arrestuar, ndërsa është shoqëruar edhe nëna e tij.

“Duhej të shikonim modelet, të shikonim përgjegjësinë e secilit prej nesh dhe të kërkonim një zgjidhje që diçka e tillë, sado e paparashikueshme dhe e papritur të jetë, të mos ndodhë më kurrë, por jetojmë në një botë të tillë që është e mundur. Nuk nxitova, askush nuk nxitojë me deklarata, ne donim të shikonim ku dështoi sistemi. Ku qëndron përgjegjësia e secilit prej nesh sepse nuk mund t’i kthejmë fëmijët te prindërit e tyre”, tha i pari i shtetit serb.

Presidenti i Serbisë tha se djali (K.K.) do të vendoset në një pjesë të veçantë të Klinikës për Neuropsikiatri dhe se do të hetohet përgjegjësia e të gjithëve, raporton media ruse Nova.rs.

“Babai i tij u arrestua si pronar i armës, të cilën padyshim e mbante dhe e ruante në mënyrë të paligjshme, edhe pse kishte të gjitha lejet e nevojshme. Është ndaluar edhe nëna”, tha Vuçiç, duke shtuar se është i detyruar të flasë për shkaqet dhe përgjegjësinë reale pasi në rrjetet sociale po përhapen informacione të pavërteta.

Vuçiç tha se djali e ka pranuar se gjithçka e kishte planifikuar.

“Ai e shpjegoi në një mënyrë të çuditshme, të cilën nuk mund t’ia shpjegosh askujt që ka humbur fëmijët. Disa flasin për dhunën e bashkëmoshatarëve dhe se ai kërcënoi më herët me bomba. Ju lutemi njerëzit mos shpifni se ai kërcënoi me bomba. Ai mendoi të hidhte bomba molotov për të mos lejuar të tjerët të hynin deri sa të mbaronte punën monstruoze. Megjithatë, ai u frikësua dhe për këtë arsye hoqi dorë nga kokteji molotov”, tha ai.

Lideri serb propozoi të vendoset një moratorium për mbajtjen e armëve gjatë dy viteve të ardhshme, përveç armëve të gjuetisë. Më pas, të kontrollohet funksionimi i të gjitha poligoneve të qitjes, të kontrollohen të gjitha lejet e dhëna dhe të kontrollohet mënyra se si personat i mbajnë armët e tyre.