Transmetuar më 03-05-2023, 20:36

Suedi- Për shumë shqiptarë, emigrimi është një formë proteste. Një shprehje e revoltës për mundësitë e mohuara në vendlindje, për ndjesinë e padrejtësisë, pabarazinë ekstreme të një pjese të vogël të shoqërisë, krahasuar me masën, për pasigurinë, për mungesën e arsimit cilësor, shëndetësor etj.

Është edhe shprehje e mosbesimit tek klasa politike, te vendimmarrja e saj, konflikti që ajo përcjell në shoqëri, gjuha e vrazhdë, pasurimi i saj dhe i një pakice mediokre dhe parazite që i rri pranë, etj.

Arsyet janë të shumta dhe të kuptueshme. Largimi është kthyer tashmë thuajse në një psikozë kolektive.

Por duhet thënë edhe ana tjetër e medaljes: Askund nuk është fushë me lule, dhe çdo vend ka problemet e tij.

Në këtë video amatore që qarkullon në rrjete sociale, një e re shqiptare e cila ka emigruar në Suedinë e largët, pyetet çfarë nuk i pëlqen nga vendi ku ka vendosur të ngrejë jetën e saj.

Përgjigja vjen nga një kënd vështrimi që ne zakonisht e kemi lënë në hije. Video ndërpritet një moment sepse të resë i vijnë edhe lotët.

Taksat, jetesa e shtrenjtë, pamundësia për të kaluar kohën e lirë si në vendin nga erdhi, zakonet e ndryshme, rregullat e ndryshme, klima e zymtë, janë disa nga problemet që ajo përmend.

Për më shumë ndiqeni vetë dhe nëse duam të komentojmë, le ta bëjmë pa mllefe dhe me një nivel etike të pranueshëm.(Dita)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd