Transmetuar më 03-05-2023, 19:00

Rruga e Arbërit, çelet segment i ri rrugor Plani i Bardhë-Qafa e Buallit që rrit në standardet optimale sigurinë rrugore

Në Rrugën e Arbrit, veprën më të madhe infrastrukturore të mezipritur për mbarë shqiptarët, u hap sot edhe segmenti rrugor Plani i Bardhë-Qafa e Buallit, i cili vonoi për shkak të gjeologjisë së terrenit. Tashmë nga Tirana në Dibër dhe anasjelltas mund të shkohet për rreth një orë e gjysmë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot me banorë të zonës në rrugën e re, që tanimë, jo vetëm do të shkurtojë më tej kohën e udhëtimit Tiranë – Dibër, por do të rrisë në standardet optimale sigurinë rrugore.

“Këto janë 10 kilometrat më të rëndësishme të Rrugës së Arbrit, duke qenë se kemi pasur gjithmonë problematikën me skarpatet në këtë zonë.

Tashmë qafa e Buallit del jashtë funksionit dhe do të përdoret vetëm për raste emergjence.

Aksesi për Rrugën e Arbrit do të bëhet direkt nga Plani i Bardhë.

Rruga për shkak se ka vijën e verdhë tregon që jemi akoma në kantier. Kështu që do duhet të vazhdojmë punimet, por pa ndërprerë trafikun.” – shpjegoi Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Ndërkohë që kanë mbetur edhe 300 metrat e fundit në tunelin e Murrizit ku po ecet përditë ngadalë deri në daljen që e mbyll përfundimisht këtë vepër të madhe infrastrukturore, e cila ka nisur të kthehet një motor i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të gjithë zonës. /noa.al