Transmetuar më 02-05-2023, 18:58

BRUKSEL- Ka nisur takimi i radhës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel. Bashkimi Evropian gjatë ditës ka thënë se palët pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth projektit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar paraprakisht takimin me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para takimit me liderin serb, Aleksandër Vuçiç.

Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit bëhet me dije se, ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti falenderoi zyrtarin e lartë, për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës.

U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit.

Në tryezën e bisedimeve sot është draft-statuti për formimin e këtij Asociacioni, i hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë. Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Deri më tani, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.