
Lisciano Niccone, një qytet i vogël në provincën e Perugias, ishte skena e martesës së 29 prillit mes ish-presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli, 47 vjeç, dhe partneres së tij Deniz Akalin. Një ceremoni që u zhvillua në fshehtësi të madhe dhe u bë sadopak e njohur vetëm përmes disa postimeve në rrjetet sociale nga Dara Rolins, partnere e Pavel Nedved.

FAMILJA – Së bashku që nga viti 2015, bashkëshortët kanë dy vajza, Livia Selin dhe Vera Lin. Agnelli e kishte falënderuar sinqerisht gruan e tij aktuale në një nga ditët më të vështira për të, të lamtumirës nga presidenca e Juventusit, nëntorin e kaluar.
Fjalë mirënjohëse të cilave Deniz Akalin iu ishte përgjigjur publikisht me një dedikim shumë personal: “Vetëm unë dhe ti i dimë të gjitha sakrificat që ke bërë, të gjitha përpjekjet që ke bërë… Gjithmonë më pyet se çfarë dua më shumë tek ti.

Unë të jam përgjigjur gjithmonë: mënyra se si punon. Ti nuk ndalesh, je koherent dhe këmbëngulës, i vendosur. Përgjegjësia është në gjakun tënd; nuk ke ikur asnjëherë prej saj, edhe kur merrje përsipër fajin e të tjerëve, apo për gabime që nuk i ke bërë dhe nuk ishin të tuat.
Gjithmonë e vendos fytyrën tëndë në disfata, në momente të vështira, në vendime të vështira. Do të doja të kisha gjysmën e guximit, integritetit dhe mirësjelljes tënde. Juventusi ka vetëm një president dhe për mua do të jesh gjithmonë ti".

E ARDHMJA – Pas "po" shumë konfidenciale përballë kryebashkiakut Gianluca Moscioni në bashkinë e qytetit të vogël umbrian, Andrea dhe Deniz vazhduan festën së bashku me rreth 40 të ftuar në një resort ekskluziv të zonës, pikërisht në Kalanë e Reschio, e cila në të kaluarën priti shumë yje ndërkombëtarë.

Tashmë në të ardhmen e familjes "Agnelli" ndoshta do të jetë Hollanda, ku do të menaxhojnë kompaninë "Agnelli BV", aksioner i së cilës është bashkë me kushëririn e tij John Elkann.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





