Transmetuar më 02-05-2023, 10:58

Frikë dhe çmenduri në Tunizi. Një burrë i armatosur me sharrë elektrike me zinxhir iu vërsul tifozëve dhe shkaktoi panik në stadium. Aty po luhej ndeshja e kthimit çerekfinale e Ligës së Kampionëve Afrikan mes Esperance dhe Kabylie.

Pati probleme me turmat e fansave, pasi Esperance u kualifikua në gjysmëfinale. Përplasjet mes policisë dhe spektatorëve vonuan çerekfinalen e Ligës së Kampionëve të CAF me 45 minuta, të shtunën, përpara se klubi lokal Esperance t’i mbijetonte një përfundimi tejet të tensionuar.

Esperance barazoi 1-1 me mysafirët algjerianë të JS Kabylie, për të kaluar në gjysmëfinale me Al Ahly të Egjiptit falë rezultatit total 2-1. Mohamed Ali Ben Romdhane i dha Esperance epërsinë në minutën e 49-të, ndërsa Adem Redjem barazoi pesë minuta nga fundi i kohës së rregullt.

Përfshirë kohën e shtesë, Kabylie kishte 12 minuta për të shënuar sërish dhe për të siguruar kualifikimin me golat jashtë fushe, por nuk ia arriti. Pas një pjese të parë pa gola, pamjet treguan policinë duke gjuajtur me gaz lotsjellës një pjesë të mbështetësve të veshur me ngjyrat e Esperance.

Lutjet e disa lojtarëve të Esperance drejtuar turmës për të ndaluar hedhjen e objekteve në fushë u injoruan fillimisht në stadiumin kombëtar në Rades, në periferi të Tunisit. Rendi u rivendos përfundimisht, megjithatë, pjesa e dytë e ndeshjes filloi 45 minuta me vonesë.

Mes kaosit u shqua një burrë me sharrë elektrike me motor në dorë, që iu mësy hyrjes së stadiumit, prej nga dilnin tifozët e panikosur nga gazi lotsjellës i policisë. Ai kërkonte të bënte kërdinë në mesin e spektatorëve, por fatmirësisht nuk ia doli.

Sipas ministrisë së brendshme tuniziane, disa individë hynë në një magazinë ku mbaheshin mjetet e përdorura për punët e mirëmbajtjes dhe dyshohet se i përdorën ato për të shkaktuar panik në stadium.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd