Transmetuar më 02-05-2023, 09:53

Ky është Jani Rustemaj, 27-vjeçari i cili ndodhet në QSUT në gjendje të rëndë për jetën pasi u arrestua nga policia më 12 Prill 2023.

27-vjeçari u vu në pranga për vjedhjen e një tapeti dhe një pale atlete. 5 ditë pas arrestimit, më 16 Prill u dërgua me urgjencë në QSUT.

Po atë ditë, në pasdite, policia njoftoi të ëmën e Janit se ky i fundit është dërguar në spital nga dhomat e paraburgimit të policisë.

Policia e Shtetit ka reaguar mëngjesin e sotëm në lidhje me rastin, duke dhënë detaje për hetimet.

Sipas policisë ‘në datë 12 prill 2023, një shtetas me inicialet J.R. u arrestua për vjedhje, sipas nenetit 134 të Kodi Penal. Njoftimi i arrestimit u bë publik më 13 prill 2023.

Në datën 14 prill 2023, shtetasi J.R. kishte shfaqur shqetësime shëndetësore ndërkohë që ishte në Bllokun e Sigurisë të DVP Tiranë, dhe shërbimi i emergjencës mjekësore ishte njoftuar dhe kishte ndihmuar. Pas kësaj, gjendja e tij u përmirësua.

Në datën 15 prill 2023, J.R. u shoqërua në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku u caktua masa e sigurisë "arrest në burg".

Në datën 16 prill 2023, pas urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, J.R. u dërgua në IEVP-313, por autoritetet e këtij institucioni nuk e pranuan atë për shkak të mbingarkesës. Si pasojë, J.R. u kthye në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Në datën 17 prill 2023, J.R. kishte përsëri shqetësime shëndetësore dhe u transportua në spitalin "Nënë Tereza" ku u shtrua dhe u sigurua me punonjës policie të DVP Tiranë. Në datën 19 prill 2023, në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, J.R. u mor në ruajtje nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më datë 30 prill 2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, shtetaseja P.R. (nëna e J.R.) bëri kallëzim për trajtimin shëndetësor të djalit të saj. Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Drejtorinë e AMP-së Tiranë, kanë administruar kallëzimin, kanë sekuestruar praktikën procedurale dhe shëndetësore për J.R., kanë pyetur punonjës policie dhe stafin mjekësor të Bllokut të Sigurisë dhe materialet do t’i kalohen për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd