Transmetuar më 29-04-2023, 12:25

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shkoi sot në Librazhd për të kërkuar mbështetjen e banorëve ndaj kandidatit Shefki Çota.

Ai tha se të votosh Edi Ramën, do të thotë të votoni për thellimin e varfërisë dhe shtoi:

"Vërtet ju votoni për veten tuaj dhe në këto zgjedhje, të votosh Edi Ramën, do të thotë të votoni për thellimin e varfërisë, për dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria.

I them Edi Ramës hajde dalim bashkë në studio dhe merr ç’të kesh për Sali Berishën dhe unë ç’kam për ty.

Nuk ia mban, jo vetëm nuk del vetë, por nuk le asnjë prej kandidatëve të tij.

Nuk ia mban se i dalin qindra milionë euro të fshehura offshorë, i dalin qindra tendera të baxhanakut, thjeshtrës, i del vëllai i implikuar në shumë afera.

I del firma e tij në 420 milionë euro për djegësat, i del firma për Durrësin."

Në vijim Berisha u ndal në akuza të tjera: "Librazhdi po ta shohësh është një rreth me pyje, me ujë, me gjelbërim shumë të fuqishëm. Nuk ka rreth më të bekuar se Librazhdi sepse pasuria e pasurive është uji.

Çfarë ka ndodhur me ujin? Ka 10 vite në pushtet. Më thoni pak, si është furnizimi me ujë i Librazhdit? Keq e më keq. Si është i Tiranës? Si e më zi.

Çarë ndodh, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Unë mendoj se çdo qytetar duhet të votojë për veten e tij. Edi Rama nuk e meriton votën kurrë në këto zgjedhje.

Për shkak të dyfishimit të taksave, ai ka inkasuar në arkën e shtetit, 5.8 miliardë euro në vit. Në vitin 2013, me gjysmën e taksave kemi inkasuar 3.8 miliardë. Pra, dy miliardë euro më shumë në vit ka marrë nga taksat. Ku shkuan ato?

Deri në vitin 2013, rrogat u dyfishuan, dolëm në krye të vendeve të rajonit. Po pse dolëm? Sepse qytetarët e meritojnë sepse Shqipëria është një vend shumë i pasur. Dhe përsëri me ato 3.8 miliardë u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë, qindra ujësjellësa, 1300 objekte arsimore.

Por prapë u dyfishuan rrogat dhe pensionet. Ku shkojnë këto para? Këto vetëm vidhen. Ndërtohet rruga me 24 milionë euro kilometri, ndërkohë kur në të gjithë Europën, ajo ndërtohet me 2 maksimumi 3 milionë euro.

Ju e dini autostradën Elbasan-Tiranë dhe e dini që u inaugurua në vitin 2013 përveç një segmenti 7 kilometra Ibë-Farkë. Rruga u prokurua e tëra për t’u dorëzuar përfundimisht me 255 milionë euro, përfshi tunelin.

Rruga ka shkuar 430 milionë euro. Ato 7 kilometra kanë kushtuar 180 milionë euro. Pra, ndokush që mendon se ato nuk janë paratë tona, gabon fatalist. Ato janë vetëm tuajat.

Qeveria nuk prodhon para, ajo mbledh taksat tuaja, mundin tuaj, djersën tuaj dhe është e detyruar ta kthejë në rrugë, shkolla, ujësjellësa, kanalizime". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd