






Nga Gjirokastra ku kryesocialisti Edi Rama po vazhdon fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit, tha se ky tur do të përfundojë me mbjelljen e 25 mijë pemëve të reja.
Në takim me mbështetës të së majtës, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama u ndal fillimisht në qytetin jugor dhe tha se bypass-i është një realitet dhe së bashku me parkingun nëntokësor në sheshin e Çerçizit, janë dy vepra të reja që do ta lehtësojnë tërësisht zonën historike nga makinat dhe do ta bëjnë shumë më të jetueshme dhe shumë më tërheqëse Gjirokastrën për këmbësorët duke rritur ende më shumë vlerën e pronës, duke rritur ende më shumë atraksionin turistik të saj.
Rama përsëriti planin për rritjen e pagave duke siguruar se deri në 2024 rrogat në sektorin publik në Shqipëri do të jenë mesatarisht 900 euro, nga 530 që është, duke e quajtur operacion masiv financiar për të fuqizuar ekonominë e familjeve të atyre që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Ai shtoi se ky plan do të jetë i shoqëruar edhe me rritje më të madhe të pagave në sektorin privat.
Ndërsa më pas foli për pagën minimale: "Kemi çuar në 40 mijë lekë pagën minimale, përtej parashikimit të programit tonë, por edhe përtej parashikimit të programit të atyre që ju e dini si i bëjnë programet, premtojnë nënë e babë se nuk kanë gjë në dorë dhe edhe ata pagën minimale e parashikonin 38 mijë lekë deri në fund të 2025. Ne sot e kemi 40 mijë lekë, duam ta kemi 45 mijë lekë deri në fund të këtij mandati, por ambicia jonë është që të shkojmë me patjetër në 60 mijë lekë pagë minimale. Pa 60 mijë lekë pagë minimale, detyra jonë është e pa përmbushur. Ashtu sikundër ne thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë. E kemi nisur këtë rrugë me 3300 euro për frymë, jemi në 6400 euro, por pa shkuar në 10 mijë euro për frymë, detyra jonë është e papërfunduar." /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





