Transmetuar më 28-04-2023, 18:35

KOSOVË- Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, me propozimin e Aida Ferati-Dolit, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë prononcuar për këtë vendim të autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut.

Mitrovica e Veriut është një nga katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe. Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ishte vetëm një asamblist serb, Dushan Millunoviq. Më 28 prill ai votoi kundër kërkesës për hapjen për qarkullim të urës mbi Ibër. Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët./ REL