
Hidhërim në gojë për Massimilano Allegrin dhe Juventusin e tij, me “nokautin” në “San Siro” që eliminon bardhezintë nga Kupa e Italisë. “Zonja e Vjetër” dorëzohet një hap larg finales, me trajnerin që duke analizuar humbjen nënvizoi:
“Çerekorëshin e parë ishim të përgjumur dhe pësuam golin. Më pas bëmë një lojë të mirë, por nuk gjuajtëm shumë dhe u eliminuam. Duhet të rigjejmë energjitë tona, kemi gjysmëfinalen e ‘Europa League’. Duhet të përveshim mëngët për t’u rikthyer në punë me përkushtim".
Një disfatë që shërben për të ringjallur krenarinë e Juventusit në funksion të finishit të sezonit: "Duhet të mbrojmë vendin e tretë dhe të mbajmë larg Romën e Milanin. Sonte duhej të bënim më mirë në fazën sulmuese, por nuk arritëm ta përmbysim disavantazhin. Nuk ishte e lehtë, fitorja nuk është e lehtë këtu, por duhet të rrisim ligësinë tonë për të arritur rezultatin e duhur.
Është për të ardhur keq sepse bëmë një ndeshje të mirë për 60 minuta, kundër një skuadre shumë të fortë. Na vjen keq që nuk jemi në finale”. Më pas trajneri bardhezi përsëriti: “Kur je në këto situata, të ndodhin të gjitha. Të dielën pësuam gol si pula, gjysmëfinalja e parë me Interin e patë se çfarë ndeshjeje ishte. Duhet të jesh i mirë dhe i fortë, më pas gjithçka funksionon dhe në fund gjërat kthehen”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





