
Tiranë- Identifikohen vrasësit e Ardian Nikulajt.
Policia e Shtetit ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur pak ditë më parë në Lezhë, ku u vra Ardian Nikulaj.
Kryepolici, Muhamet Rrumbullaku shprehet se kjo ngjarje është zbardhur dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar 6 persona, 5 të huaj dhe një shqiptar.
Autori i vrasjes është një shtetas portugez.
Rrumbullaku shton se autori i vrasjes së Nikulajt është larguar nga territori i Shqipërisë.
Rrumbullaku: Jemi 100% të bindur me përcaktimin e ekzekutorit, është shtetas portugez. Sa i përket sigurimit të provave, iu garantojmë se kemi siguruar prova të plota dhe tashmë ne jemi në një fazë të dytë për kapjen e tyre. Kemi të bëjmë me vrasje me paramendim për gjakmarrje. Autorët pas krimit, kanë dalë jashtë vendit. Vrasës me pagesë? Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor është një grup i strukturuar kriminal.
A kanë qenë më parë vrasësit në Shqipëri?
Rrumbullaku: Do t’u lutesha që disa çështje t’ia lëmë grupit hetimor. Jemi të sigurtë në gjithçka që po transmetojmë në këtë konferencë për shtyp. Jemi në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë dhe mendojmë se kemi gjeneralitetet e sakta për identitetin e tyre. Kemi përcaktuar dhe kemi marrë masa për të parandaluar një gjakmarrje tjetër.
A ka pasur të shoqëruar nga fisi Palaj?
Rrumbullaku: Janë çështje hetimore.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





