Transmetuar më 26-04-2023, 09:05

Inter kundër Juventusit, akti i fundit sezonal mes tyre. Pas dy ndeshjeve të kampionatit dhe ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë; tri ndeshje të përfunduara, sipas praktikës mes këtyre dy skuadrave, me polemika të shumta; ja sfida që do të vendosë finalistin e parë të Kupës Kombëtare.

Një garë elektrizuese “par excellence” dhe që, për të dyja, është një fazë themelore në një sezon të përjetuar nga të dyja skuadrat në një slitë. Pas shumë polemikave me sfond racist, festimeve pak a shumë provokuese dhe skualifikimeve, fillimisht të dhëna e më pas të hequra, fjala i shkon fushës së blertë.

Supersfida do të startojë sonte në orën 21:00 në stadiumin “San Siro” dhe do të drejtohet nga arbitri Daniele Doveri. Kujtojmë se gjysmëfinalja e parë ka përfunduar në barazimin 1-1, prandaj gjithçka mbetet e hapur tërësisht.

Si mbërrin INTERI – Pas rotacionit në kampionat, Inzaghi do të rikthejë lojtarët titullarë. Onana do të rikthehet në portë; në mbrojtje Acerbi është i favorizuar ndaj De Vrij për të formuar treshen me Darmian dhe Bastonin.

Dumfries në të djathtë, Dimarco në të majtë. Në “dhomën e kontrollit”, Calhanoglu është favorit ndaj Brozovic, ndërsa Barella dhe Mkhitaryan do të kompletojnë repartin. Dyshimi tjetër i trajnerit të zikaltërve ka të bëjë me sulmin. Në këtë repart ka balotazh Dzeko-Lukaku, me boshnjakun paksa të favorizuar, por belgu “bën presion” me dy golat e fundit ndaj Inzaghit për të startuar bashkë me Lautaro.

Si mbërrin JUVENTUSI – Një mungesë e sigurt dhe shumë e mundshme për Massimiliano Allegrin. Në fakt, përveç Cuadrados së pezulluar, trajneri bardhezi mund të bëjë edhe pa Vlahovic (i cili pësoi një ndrydhje në kavilje në stërvitjen e djeshme). Në rast të mungesës së serbit, në vend të tij pritet të aktivizohet Milik.

Polaku do të “çiftohet” me njërin mes Di Maria dhe Chiesa (argjentinasi është më i favorizuar). Sulmi mbështetet në krahë nga De Sciglio dhe Kostic, ndërsa në mes të fushës nga Fagioli, Locatelli dhe Rabiot. Në mbrojtje Gatti, Bremer dhe Danilo, të vendosur për të mbrojtur portën e Perin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd