Transmetuar më 26-04-2023, 07:46

Pas barazimit 1-1 dhe polemikave të shumta në ndeshjen e parë në Torino, Juventusi shkon nesër mbrëma në “San Siro për të siguruar finalen e 22-të të Kupës së Italisë në historinë e tij (ka 14 fitore të saj).

“Zonja e Vjetër” ka triumfuar gjithmonë në pesë gjysmëfinalet e Kupës së Italisë të luajtura kundër Interit (në sezonet 1937/38, 1982/83, 2003/04, 2015/16 dhe 2020/21). Më konkretisht, bardhezinjtë kanë mbetur të pamposhtur në nëntë nga këto dhjetë ndeshje (vajtje-kthim), me 4 fitore dhe 5 barazime).

Massimiliano Allegri prezantoi ndeshjen e kthimit ndaj Interit në një konferencë për shtyp: "Është gjithmonë Inter-Juve, një ndeshje e shkëlqyer, me finalen e Kupës së Italisë për t’u rrëmbyer në lojë. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar në finale".

Lidhur me Mirettin dhe Pogba, që vijnë nga dëmtimet respektive, trajneri bardhezi nënvizoi: “Të gjithë po bëjnë mjaft mirë. Pas një periudhe dobësie, Miretti po kthehet në gjendje të mirë, por është normale. Ai tashmë ka luajtur shumë ndeshje. Pogba është më mirë, nesër mund të luajë një pjesë të ndeshjes”.

Lajmi më shqetësues lidhet me Vlahovic, qendërsulmuesin kryesor të bardhezinjve: “Sot Vlahovic pati një ndrydhje të kyçit të këmbës, kështu që nuk do të jetë nesër ndaj Interit. Sidoqoftë, për formacionin do të shoh gjendjen e skuadrës nesër në mëngjes dhe të vendos.

Nëse Milik rikuperohet nga lodhja e tij, mund të luajë. Kean është me siguri jashtë, shpresojmë ta kemi përsëri gati pas rreth dhjetë ditësh. “Trident” Milik, Chiesa dhe Di Maria? Nesër do të vendos nëse mund të luajnë të tre apo vetëm dy, sepse pastaj kam nevojë edhe për zëvendësime. Di Maria? Ai është një lojtar i rëndësishëm tek i cili mbështetemi shumë”.

Trajneri Allegri kërkon përqendrim nga të tijtë, sidomos në minutat e fundit dhe ato shtesë: “Le të mendojmë t’i rregullojmë disa gjëra, sepse Interi dhe Napoli na shënuan në minutën e 93-të. Mund ta bëjmë të pamundurën me seriozitet dhe punë.

Çdo vit punojmë për trofe, po bëjmë një punë të mirë, janë aktivizuar shumë të rinj. Një 22-vjeçar nuk mund të quhet i ri, por kjo është pjesë e lëvizjes futbollistike italiane. Mendoj se ka kaq shumë gjëra për të rregulluar, por tani jemi më të fokusuar te finalja. Nesër duhet të jetë një ndeshje paqësore, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, sepse në fund të fundit është vetëm futboll”.

Emri i Zinedine Zidane po përflitet për stolin e Juventusit në sezonin e ardhshëm, por Allegri nxiton të thotë se ka kontratë 2-vjeçare në fuqi: "Kam një kontratë 2-vjeçare, jam i privilegjuar të punoj në Juventus. Të punosh këtu për shtatë vite është privilegj për pak njerëz. Pastaj në jetë ka momente vështirësish në të cilat gjërat nuk shkojnë mirë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd