
Pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj Empolit në transfertë dhe faljes së presidentit Gravina, Lukaku mund të startojë në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Vetëm pak javë më parë, Romeu Lukaku dukej mjaft i largët i atij lojtarit që udhëhoqi Interin, në atë kohë të trajnuar nga Antonio Conte, për të fituar titullin e Serie A më 2021.
Rikthimi te zikaltrit, pas një viti të kaluar me Chelsea në Premier League, sigurisht që nuk ishte në të njëjtin nivel me përvojën e tij të parë, por tani sulmuesi belg po përpiqet të japë maksimumin.
Këtë e dëshmon performanca e shkëlqyer në ndeshjen kundër Empolit, të dielën e kaluar: dy gola dhe një asist për Lautaro Martinez, një përqafim dhe shumë lumturi për të, për tifozët dhe për Simone Inzaghin, i cili tani, për ndeshjen e kthimit kundër Juventusit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë mendon të përdorë tandemin “Lu-La”.
Në të vërtetë, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, trajneri i Interit mund të vendosë Lukakun së bashku me Lautaron në sulmin zikaltër, në përpjekje për të arritur në finalen e Kupës së Italisë. Kujtojmë se ndeshja e parë e l;uajtur në Torino mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar 1-1. Pra, gjithçka rinis nga barazpesha.
“Big Rom” ishte protagonisti i ndeshjes së parë, duke shënuar penalltinë e barazimit 1-1 pak para fishkëllimës së fundit, në kohën shtesë. Penallti që shkaktoi një sherr, ku u përfshinë Cuadrado dhe Handanovic, si dhe përjashtimi me karton të kuq i vetë belgut, i cili u ishte përgjigjur thirrjeve raciste që vinin nga “kurba” e Juventusit.
Mirëpo, pas skualifikimit, Lukaku u fal nga presidenti i FIGC, Gabriele Gravina. Ndaj, i aftë dhe i stërvitur, ai tashmë mund ta nisë mes titullarëve gjysmëfinalen e kthimit ndaj Juventusit.
Synimi është për t’iu dhënë vazhdimësi paraqitjeve të tij dhe shpresë tifozëve zikaltër që shpresojnë të bëjnë mirë si në Kupën e Italisë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, ku Interi do të përballet me Milanin në gjysmëfinale.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





