Transmetuar më 24-04-2023, 20:24

SERBI- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar për rezulatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore me shumicë serbe duke pretenduar se këtej e tutje do të ndodhin “ndryshime tektonike”. Në një deklaratë para qytetarëve, presidenti i Serbisë u shpreh se nuk do të komentojë rezultatet zgjedhore, por do të prezantonte ndryshimet tektonike që sipas tij ndodhën dje në Kosovë.

“…analiza jonë nuk duhet të jetë sipërfaqësore dhe e cekët, sepse gjithmonë jemi të lumtur ta pranojmë se ndodhi humbja e Albin Kurtit dhe regjimit të tij. Po, kjo është e qartë,”, tha Vuçiç.

Sa i përket bojkotit të serbëve për të votuar, Vuçiç tha se ky ishte një mesazh edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Dje, populli serb tregoi që ata duan komplet qasje tjetër, mbi të gjitha nga komuniteti ndërkombëtar. Kur e them një gjë të tillë, i referohem fuqive perëndimore. Populli serb po kërkon më shumë respekt, dialog, dhe dialog të vërtetë, por jo zgjidhje të imponuara,” – u shpreh presidenti serb.

Vetëm 3.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote votuan dje në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke e cënuar rëndë kësisoj legjitimitetin e kryetarëve dhe asamblistëve të zgjedhur. Dy kryetarë të zgjedhur ishin nga Vetëvendosje dhe dy të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës. Këto të dyja ishin partitë e vetme parlamentare në vend që morën pjesë.