Transmetuar më 23-04-2023, 09:28

Monte Johnson

Fjala Ergon në greqisht do të thotë “punë” ose “detyrë”, ose “produkt”, ose “funksion”. Termi përdoret kryesisht në kuptimin e artefakteve, ose aftësive.

Kështu, “ergon”-i i një sharre është që të presë drurin.

“Ergon”-i i një shtëpie është të të mbrojë nga moti i keq, apo hajdutët.

“Ergon”-i i një arkitekti është të ndërtojë shtëpi.

Një tjetër term i lidhur me këtë, është Aretê, që do të thotë ekselencë, ose virtyt.

Ekselenca e një sharre është mprehtësia, përderisa funksioni i saj është të presë drurin.

Ekselenca e një shtëpie është stabiliteti dhe siguria, përderisa funksioni i saj është mbrojtja.

Ekselenca e një arkitekti është ndërtimi i shtëpive të mira.

A kanë qeniet njerëzore një “ergon”, apo një “funksion”? Dhe nëse po, a kanë ata edhe një Aretê apo Ekselencë korresponduese? Aristoteli mendon që po, dhe argumentimi i tij na ndihmon që të mendojmë më qartë mbi qëllimin e jetës së njeriut.

Por përpara se të diskutojmë mbi argumentin e ergonit, na duhet të diskutojmë disa supozime mbi natyrën e jetës. Aristoteli rendiste katër klasa të qenieve të gjalla. Bimët, kafshët, njerëzit dhe perënditë. Për një moment, do i lëmë mënjanë perënditë.

Aristoteli i përcaktonte qeniet e gjalla në bazë të aftësive të tyre.

Bimët kanë aftësinë të rriten, të përdorin energji dhe të riprodhohen. Pra kur një bimë po rritet në mënyrën e duhur, duke shtyrë më thellë rrënjët e veta, nxjerrë gjethe dhe lule dhe prodhuar frute, ne themi që ajo është duke lulëzuar.

Kopshtarët e dinë se çfarë është mirë dhe keq për bimët, domethënë çfarë gjërash ndihmojnë dhe çfarë gjërash dëmtojnë. Për bimët, nuk është çështje opinioni se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe për to, por është çështje faktesh shkencore. Bimë të ndryshme mund të kërkojnë lloje të ndryshme ushqyesish, apo sasi të ndryshme hije dhe uji, por për çdo bimë mund të themi që ka një ecuri bazuar në aktivitetet e lidhura me aftësitë e saj.

Kafshët janë pak a shumë si bimë të superfuqishme. Edhe ato kanë aftësinë të rriten, të përdorin ushqimin dhe të riprodhohen, këto gjëra janë njësoj të rëndësishme për kafshët, sa janë edhe për bimët, gjë që mund ta konfirmojnë veterinerët dhe zoologët, por kafshët kanë edhe aftësi të tjera, më të forta dhe më të lartësuara.

Për shembull kafshët ndryshe nga bimët, mund të lëvizin nëpër hapësirë. Kafshët që nuk e bëjnë këtë, qoftë për shkak të defekteve fizike apo për shkak se janë futur në kafaz, mund të thuhet se nuk po ecin mirë. Për këtë arsye, aktivistët e të drejtave të kafshëve bëjnë fushata për më shumë hapësirë për to, apo për kafaze më të mëdhenj. Kjo sepse është e qartë që është më mirë për kafshët të ushtrojnë aftësinë e tyre për të lëvizur. Më e rëndësishmja, kafshët kanë aftësinë e perceptimit. Ato mund të ndjejnë të nxehtin dhe të ftohtin, të nuhasin, të shijojnë, të dëgjojnë dhe të shikojnë dhe disa prej tyre janë në gjendje të bëjnë të gjitha këto gjëra. Kafshët që nuk munden të shikojnë, edhe pse pjesëtarë të species së tyre janë normalisht të afta ta bëjnë këtë, mendohet që nuk po ecin aq mirë sa kushërinjtë e tyre që munden. Bashkë me aftësinë për të ndjerë, vjen dhe aftësia për të ndjerë dhimbje dhe kënaqësi, e si pasojë edhe oreksi apo kundërshtimi. Këto janë aftësi që lidhen me aftësinë e kafshëve për të lëvizur vetë, përderisa ato ndjekin gjëra për të cilat kanë uri dhe shmangin gjëra që mund të pengojnë aktivitetet e tyre të natyrshme.

Një kafshë mund të mos bëjë mirë nëse i mungojnë aftësitë e veta të ngjashme me bimët, apo më saktë aftësitë vegjetuese, por edhe nëse është në rregull me ato aftësi, nuk mund të thuhet se po lulëzon, nëse pengohet kur vjen puna tek lëvizja apo ndjesitë.

Për shembull, nëse një kafshë ndjen shumë dhimbje, apo nuk është në gjendje të shuajë urinë e saj, për shkak të lëndimeve në organet e lëvizjes, ajo kafshë mund të thuhet se nuk po bën mirë. Që një kafshë të lulëzojë, ajo duhet të jetë në gjendje të lëvizë dhe ta ndjejë botën në një mënyrë që prodhon për të kënaqësi ose të paktën, më shumë kënaqësi se sa dhimbje.

Tani të kalojmë tek njerëzit.

Njerëzit janë kafshë. Kafshë me superfuqi. Por rrallëherë theksohet që ne jemi edhe bimë. Pra ne, ashtu si kafshët e tjera, kemi edhe aftësitë e bimëve, rritjen, ushqimin dhe riprodhimin, dhe ne na duhet që t’i ushtrojmë këto aftësi, nëse duam të jetojmë. Dhe ashtu si kafshët e tjera, ne kemi aftësinë të lëvizim dhe të shqisave e të ndjerit. Si kënaqësia e dhimbja, apo oreksi. E gjithë jeta është e lidhur thellë në këtë mënyrë. Por njerëzit kanë gjithashtu aftësi unike, që kafshët e tjera nuk i kanë. Më e rëndësishmja, aftësia për të arsyetuar dhe për të përdorur gjuhën.

Këto aftësi na mundësojnë të kultivojmë miqësi dhe marrëdhënie sociale. Të ndërtojmë dhe kontribuojmë për struktura politike, të planifikojmë për të ardhmen, të modifikojmë orekset dhe dëshirat tona, të edukojmë fëmijët tanë, të bëjmë muzikë dhe të zgjidhim ushtrime matematikore, e madje edhe të mendojmë për natyrën e universit apo qëllimin e jetës së njeriut.

Nëse një njeri nuk i ka këto aftësi, atëherë i mungojnë gjëra të rëndësishme i asaj që do të thotë të jesh njeri. E nëse gjithashtu u mungojnë edhe aftësitë e kafshëve, atëherë i shohim si njerëz në gjendje vegjetuese.

Tani që kemi të qarta këto gjëra, mund të fillojmë të mendojmë se çfarë, sipas Aristotelit, është qëllimi apo ergoni, i qenies njerëzore?

Ne nuk jemi bimë, ndaj aftësitë tona bimore për riprodhim, rritje dhe ushqim nuk mund të jenë qëllimet finale të jetës sonë. Po kështu, thjeshtë shqisat, oreksi dhe përmbushja e kënaqësive tona trupore nuk mund të jenë qëllimi i jetës sonë. Ajo që i bën lopët dhe derrat të lulëzojnë, nuk mund të jetë e njëjta që i bën njerëzit të lulëzojnë.

Prandaj se themi aftësitë për të përdorur arsyen dhe gjuhën, janë ato që na përcaktojnë ne njerëzve. Prandaj Aristoteli e quante qenien njerëzore, si një kafshë që arsyeton, gjë e cila reflektohet në emrin modern për specien tonë: Homo Sapiens.

Pra, formimi i miqësive dhe marrëdhënieve sociale, kontrollimi i orekseve dhe emocioneve, kultivimi i virtyteve morale dhe intelektuale, dhe vëzhgimi i kozmosit dhe vendit tonë në të, janë aktivitetet që, për shkak se korrespondojnë me aftësitë tona më të larta dhe unike, i japin kuptim jetës së njeriut, dhe përbëjnë lulëzimin tonë si qenie të gjalla. Gjërat që janë të mira për ne burojnë prej këtyre.

Në fakt, aktiviteti më i lartë i mundshëm për ne, ai që Aristoteli e quan prej perëndie, është filozofia. Ajo përfshin ushtrimin e pastër të arsyes dhe mendimit, ashtu siç perënditë angazhohen vazhdimisht në këto aktivitete, sipas Aristotelit.

Dhe filozofia angazhohet në arsye dhe mendim jo vetëm për t’i shërbyer nevojave tona vegjetuese dhe kafshërore, por edhe për hir të të jetuarit të një jete humane.

Për këtë arsye, Aristoteli mendonte se të merresh me filozofi është qëllimi final i ekzistencës njerëzore.

Monte Johnson është profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Diego/ AEON – Bota.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd