
Java e 30-të e Superiores mund të sjellë zhvillime sa i takon kreut të renditjes, por edhe më poshtë. Kjo për shkak se Tirana kryesuese do të luajë sot në “Loro Boriçi”, një transfertë delikate me Vllazninë. Nëse bardheblutë e Orges Shehit lënë pikë në kryeqendrën e veriut, atëherë "do të fërkojë duart" Partizani.
“Demat e Kuq” ndjekin kreun e renditjes me pesë pikë më pak se Tirana, ndërsa do të jenë në dijeni të asaj që do të ndodhë sot në “Loro Boriçi”. Pra, do të kenë mundësi të bëjnë llogaritë nesër ndaj Bylisit, edhe pse për trajnerin Giovanni Colella tashmë vlen vetëm fitorja në çdo ndeshje.
Në konferencën për shtyp para sfidës me Bylisin, trajneri italian i të kuqve nënvizoi: “Ndaj Bylisit shpresojmë t’iu riktheheni rezultateve pozitive. Ne bëjmë gjithçka për të fituar në çdo ndeshje, nëse nuk ndodh është meritë e rivalëve, që tregohen më të zotë.
Titulli? Sigurisht që 5 pikë diferencë, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje nga fundi i kampionatit, janë shumë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll, por 5 pikë janë shumë. Me rëndësi është të marrim maksimumin nesër ndaj Bylisit, duke shpresuar se edhe bardheblutë do të gabojnë në pjesën e mbetur të kampionatit.
Pastaj kemi edhe një derbi direkt, ku mund të vendoset shumë sa i takon titullit. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Unë e kam thënë tri herë dhe po e përsëris për të katërtën herë se Bylis është një prej skuadrave më të mira dhe më të forta që kam parë.
Eshtë një skuadër që luan futboll shumë të mirë. Maguette do të jetë mungesa e vetme për nesër. Përsa i përket Selmanit dhe Sembene, të dy lojtarët e kanë mbyllur sezonin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





