
Pas eliminimit të Napolit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Milani mund të ëndërrojë shumë. Skuadra e Piolit do të sfidojë Interin në gjysmëfinale dhe në rast suksesi në "Euroderbi" do të përballet me një ndeshje mes Manchester City dhe Real Madridi.
Suksesi në Champions iu ka munguar kuqezinjve që nga viti 2007 dhe për më tepër, në skuadrën e Milanit është një lojtar që e ka ndjekur trofeun gjithë jetën: Zlatan Ibrahimovic.
Për Ibrahimovic mund të ketë edhe një tjetër tallje me Champions League në karrierën e tij. Në fakt, suedezi nuk do t’ia shtonte "kupën veshëgjatë" palmaresit të tij edhe nëse Milani do ta fitonte këtë sezon.
Arsyeja gjendet në faktin se Ibra është jashtë listës së Milanit për Champions. Sulmuesi 41-vjeçar u përjashtua nga kjo listë si në shtator, kur u dëmtua, ashtu edhe në shkurt, kur mund të korrektohen skuadrat pjesëmarrëse në kompeticionet e UEFA-s.
Për këtë arsye, edhe në rast të një triumfi të kuqezinjve në finalen e madhe të Stambollit, ai nuk do të figuronte zyrtarisht mes kampionëve dhe nuk do të mund të kishte medaljen në qafë si fitues i Champions League.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





