Transmetuar më 18-04-2023, 16:38

Euro ka prekur një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 112.63 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.25 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Sipas agjentëve të tregut valutor, faktori kryesor që po zhvlerëson euron është oferta e lartë e monedhës europiane. Ata shprehen se volumi i blerjeve të euros nga agjentët e këmbimit valutor është shumë më i lartë në raport me atë të shitjeve dhe kjo po shkakton një rënie të vazhdueshme dhe progresive të kursit të monedhës europiane. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit të euros kundrejt lekut është zhvlerësuar me afërsisht 7%.

Me afrimin e sezonit turistik, perspektivat e kursit të këmbimit duket se anojnë gjithnjë e më shumë drejt një zhvlerësimi të mëtejshëm të monedhës europiane.

Në analizën e fundit për ecurinë e kursit të këmbimit të këtij muaji, Raiffeisen Research i ka rishikuar për poshtë parashikimet e kursit të këmbimit euro-lek për këtë vit. Raiffeisen Research parashikon që kursi i këmbimit të euros të bjerë në nivelin 112 lekëve deri në muajin shtator dhe ta mbyllë vitin 2023 pranë nivelit të 112.4 lekëve. Ky parashikim mbështetet në pozitat tashmë të forta të lekut, pritjet për një sezon të mirë turistik, të shoqëruar me dërgesa të konsiderueshme të emigrantëve dhe nivele të larta të investimeve të huaja direkte.

Në fakt, rënia e ditëve të fundit sugjeron që gjatë sezonit veror kursi i euros mund të bjerë edhe më poshtë se parashikimet e fundit të Raiffeisen Research.

Forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron është një faktor me ndikim të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Një monedhë vendase më e fortë i bën më të lira importet e mallrave dhe të shërbimeve nga jashtë. Forcimi i monedhës vendase ka qenë një faktor që i ka zbutur pjesërisht presionet e jashtme inflacioniste dhe ka ndikuar, mes faktorëve të tjerë, që Shqipëria të ketë nivele inflacioni më të ulët krahasuar me ekonomitë e tjera të rajonit dhe Europës.

Efekti i mbiçmimit të lekut ndaj euros ka qenë pozitiv edhe për të huamarërsit në valutë të huaj me të ardhura në lekë, duke filluar nga qeveria shqiptare, deri te huamarrësit private. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit të këmbimit të lekut në vitin 2022 ka sjellë reduktimin me rreth 37 miliardë lekë të vlerës së borxhit publik në vitin 2022.

Nga ana tjetër, forcimi i lekut po jep një ndikim gjithnjë e më negative për sektorët eksportues të ekonomisë, që i kanë të ardhurat përgjithësisht në lekë, ndërsa shpenzimet në monedhën vendase. Një monedhë vendase e mbiçmuar është një faktor me ndikim negativ në konkurrueshmërinë e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.

Forcimi i lekut ndaj euros dhe shumicës së valutave të huaja ka dhënë një ndikim negativ edhe në bilancin e Bankës së Shqipërisë. Vitin e kaluar, banka qendrore pësoi një humbje prej afërsisht 14.5 miliardë lekësh nga zhvlerësimi i monedhave të rezervës valutore kundrejt lekut. Humbjet e Bankës së Shqipërisë nga ulja e vlerës së valutës mbulohen me transferim ose emetim letrash borxhi nga qeveria, ndaj kanë një ndikim negativ dhe në nivelin e borxhit publik. Megjithatë, për sa kohë që efekti negativ në bilancin e Bankës së Shqipërisë është më i ulët se efekti pozitiv në portofolin total të borxhit në valutë të huaj, ndikimi i kursit të këmbimit mbi borxhin publik në terma neto është dukshëm pozitiv (rreth 23 miliardë lekë për vitin 2022, sipas vlerësimeve të bankës qendrore).

Gjithashtu, forcimi i lekut mund të ketë një ndikim negativ në të ardhurat buxhetore, që dominohen nga TVSH-ja dhe sidomos nga ajo e përfituar prej mallrave të importuar. Vitin e kaluar, forcimi i lekut nuk pati një efekt të rëndësishëm negativ në të ardhura, për shkak të ndikimit shumë më të lartë pozitiv nga rritja e çmimeve. Por, me frenimin e rritjes së çmimeve, këtë vit efekti i forcimit të lekut mbi të ardhurat buxhetore mund të jetë më i ndjeshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd