
"Mission Impossible" ka nisur zyrtarisht. Chelsea pret Real Madridin në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke nisur nga disavantazhi 2-0 i sfidës së parë. Të gjitha problemet e një sezoni negativ varen nga kjo ndeshje thuajse e pamundur kundër kampionëve të Europës në fuqi, të cilët triumfuan në përplasjen e javës së kaluar në "Bernabeu".
E mërkura e kaluar dha përshtypjen e qartë të të qenit superior të madrilenëve. “Realiteti ynë është se jemi të 11-tët në Premier League dhe e nisim me disavantazhin 2-0 ndeshjen e kthimit, – tha Frank Lampard. – Megjithatë janë realitete kundër të cilave ne po luftojmë, duke u përpjekur në çdo mënyrë të mundshme të tregojmë se kush jemi”.
Se kush është në të vërtetë Chelsea këtë vit duket se ende nuk e kanë kuptuar në Londër. Nuk e bëri këtë në fillim të sezonit me Tuchel, pastaj në 6 muajt me Potter. Tani provon Lampard, i cili në tri ndeshje ka pësuar tri humbje, duke përfshirë çerekfinalen e parë.
“Nuk dua të fajësoj askënd për situatën në të cilën ndodhemi, thjesht po them se kjo është situata dhe ne po punojmë për ta përmirësuar atë, – shtoi Lampard. – Nuk bëhet fjalë për përkushtim, por për përqendrim në punë. Një punë që do të kërkonte kohë, por ne po përpiqemi ta bëjmë shpejt, duke marrë rezultate sa më shpejt të jetë e mundur”.
Lampard gjithashtu duhet të përballet me perspektivën e "falimentimit". Kjo ide, pa përmbysjen thuajse të pamundur ndaj Real Madridit, bën që sezoni i Chelsea të përfundonte në mënyrë efektive më 18 prill, me një muaj e gjysmë të fundit të Premier League që do të luhej pa ambicie.
“Ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar, duke përfshirë përpjekjen për të përfshirë tifozët, që mund të na japin një dorë të madhe. Sido që të përfundojë, çdo ndeshje për Chelsea duhet të jetë një mundësi për të provuar dhe për të fituar, sepse individualisht, përfshirë mua, edhe kolektivisht, të gjithë duam të tregojmë se jemi Chelsea”.
Misioni i pamundur i Chelsea quhet Real Madridi, "mali’ për t’u ngjitur, që është edhe skuadra kampione e Europës në fuqi. Ajo që në Champions League kthehet në një "malore" të paarritshme për pothuajse të gjithë.
“Për të pasur suksesin që ata kanë pasur, para së gjithash ju duhet një trajner i madh, – thotë Lampard duke iu referuar Carlo Ancelottit. – Unë e njoh shumë mirë, sepse kam punuar me të. Ancelotti i meriton të gjitha arritjet, ka ndikim maksimal te Real Madridi. Ne e pamë edhe vitin e kaluar, se sa vendimtar ishte në marshimin drejt finales.
Gjëja tjetër që Real Madridi ka është një grup lojtarësh që luajnë në këtë nivel prej vitesh, që do të thotë se kanë talent, etikë pune, aftësi drejtuese. Mendoj se është një recetë e shkëlqyer për sukses, plus talentin individual të lojtarëve të veçantë që mund të vendosin një ndeshje në çdo moment”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





