Transmetuar më 17-04-2023, 20:48

SERBI- Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç deklaroi se nuk do të udhëtojë në Strasburg me rastin e 20 vjetorit të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës për shkak të njoftimeve se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të fillojë procedurën, për pranimin e Kosovës në këtë intitucion, një ditë më vonë.

"Çfarë mesazhi është ai? Është një poshtërim dhe një mesazh që Kosova mund të bëjë çfarë të dojë. Nëse ato njoftime janë të vërteta, unë sigurisht që nuk do të shkoj nesër në Strasburg," tha Daçiç.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrjen e Punëve të Jashtme të Gabonit, Yolanda Nijonde ai theksoi se është e pamundur të mbrohet integriteti territorial i Ukrainës nga njëra anë dhe të shkatërrohet integriteti territorial i Serbisë nga ana tjetër.

"Nëse dikush mendon se ne do ta presim me padurim ose do ta mbështesim, mendoj se ata janë absolutisht në rrugën e gabuar," tha Daçiç.

Poashtu ai ka thënë se kjo procedurë për pranimin e Kosovës në KiE nuk mund të bëehtë nëse nuk pranohet formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

"Kanë dhjetë vjet që gënjejnë se do ta formojnë. Një mesazh i tillë ngre pikëpyetje për qëndrimin e mëtejshëm të Serbisë ndaj Këshillit të Evropës, pjesëmarrjen e presidentit Vuçiq, i cili është në samitin në Islandë. Sigurisht që nuk do të lejojmë askënd që të poshtëroni Serbinë”, tha Daçiç.

Ai shtoi se nuk e di nëse pranimi i Kosovës do të jetë në agjendë në Strasburg, por se Serbia nuk do të lejojë që konstruktiviteti i saj të shihet si dobësi, shkruajnë mediat vendase.

Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, dhe bën fushata te shtetet tjera për tërheqjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës. Në këtë temë, Serbia e ka alete Rusinë, e cila është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Pa Rusinë, dy të tretat e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e njohin pavarësinë e Kosovës. Nëse merret parasysh që vendimet merren me shumicë votash, mundësia e Kosovës për anëtarësim është reale.