Tirana- Aventurat e rrezikshme të të rinjve shpesh bëhen shkak i aksidenteve tragjike.
Një ditë më para ata bënë thirrje në rrjetet sociale për gara me makina në autostradën Tiranë-Elbasan. Por policia ka arritur që t’i ndëshkojë.
Mësohet se 11 persona janë shoqëruar në komisariat pasi bën thirrje për të zhvilluar gara shpejtësie në zonën e Mulletit. Blutë e Tiranës njoftojnë se ndaj tyre u vendos një masë administrative nga 15 deri në 40 mijë lekë të reja.
Policia e kryeqytetit informon se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, në vijim të punës për ndëshkimim e të gjitha shkeljeve të qarkullimit rrugor, që bëhen rrezik potencial për përdoruesit e rrugës, pas konstatimit në rrjete sociale, të disa thirrjeve për gara shpejtësie për automjete tip “Benz”, në rrugën Tiranë-Elbasan, në Mullet, kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesve të automjeteve.
Për 11 drejtuesit e automjeteve të konstatuar duke bërë gara shpejtësie u vendosën masa administrative nga 15 000 deri në 40 000 lekë të rinj, parashikuar nga neni 9, i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, të Kodit Rrugor. Krahas masave administrative për gara shpejtësie, për tre prej tyre, u vendosën masa dhe për xhamat e zinj të errësuar’.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd