Transmetuar më 15-04-2023, 10:41

Në moshën 28-vjeçare, karriera e Brian Fernandez, sulmuesit argjentinas të Colón Santa Fe, ka hyrë në një "tunel", që është pasojë e drejtpërdrejtë e humnerës së njeriut, pre e gjatë e "demonëve" nga të cilët ai nuk mund të dalë.

Pasi shijoi sezonet e tij më të mira në Meksikë me Necaxa dhe në MLS me Portland Timbers, lojtari filloi rënien e tij marramendëse. Në nëntor 2019, MLS vendosi të pezullojë kontratën e tij me ekskluzivitetin e Oregon për shkak të shkeljeve në "programin e varësisë".

Fernandez ishte një skllav i kokainës atëherë dhe situata u bë gjithnjë e më dramatike në vitet në vijim. Ende shumë "pjellor" në atdheun e tij me fanellën e Ferro Carril Oeste (14 gola në 23 ndeshje), por u përjashtua sërish nga ekipi për varësinë nga droga, një skenar i përsëritur te Deportivo Madryn.

Mes tentativave për detoksikim dhe shtrimeve në struktura të specializuara, edhe përvoja e fundit në Kolon pati rezultate katastrofike, deri në arrestimin e tij më 5 tetor për shkak të trazirave në rrugë, duke goditur me gurë një autobus. Me urdhër të familjes, të nesërmen futbollisti u shtrua në një spital neuropsikiatrik për trajtim psikotik.

Fernandez, i cili premtonte të kishte një karrierë shumë të ndryshme si i ri, u zhduk për ditë të tëra, duke munguar në stërvitje dhe ngjallur shqetësim të madh, edhe sepse makina e tij ishte gjetur e braktisur dhe me xhama të thyer. Pas gjithë kësaj nuk qëndron vetëm varësia ndaj kokainës, por edhe shoqërimi i tij me mjediset e rrezikshme që rrotullohen rreth drogës.

Orët e fundit kanë mbërritur fjalët e dëshpëruara të partneres së futbollistit, Araceli Fessia, e cila ka rrëfyer se sa e vështirë e ka Fernandez të pastrohet, duke qenë se furnizimi është i vazhdueshëm, deri në atë pikë sa shpërndarësit e drogës ia sjellin kokainën në shtëpi.

"Brian është sot me familjen e tij, ku ndihet rehat, – tha modelja. – Ne presim që ai të pranojë trajtimin mjekësor, duhet ta bëjë me vullnetin e tij të lirë. Unë kërkoj mbështetje, të gjithë rreth tij t’i flasin për sëmundjen, sepse e dinë mirë cfarë përjeton ditë për ditë.

Këtë muaj më tha që nuk do shtrime, por po përkeqësohet. Është një cështje shumë e vështirë. Përpiqem të vazhdoj ta ndihmoj, ka nevojë për ndërgjegje dhe vullnet. Ai konsumon kokainë. Nuk kam bërë asnjëherë denoncim, sepse ndonjëherë në derën time janë shfaqur shpërndarësit e drogës.

Ka njerëz që duan të fitojnë shumë para dhe e ftojnë të konsumojnë drogën. Konsiderohet sëmundje kur përdorimi nuk ju mundëson të vazhdoni me përgjegjësitë tuaja. Unë jam me të prej 8 vitesh dhe kam luftuar për 3 vite", – përfundoi partnerja e Fernandez.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd