
Carlo Ancelotti e sheh veten te Real Madridi sezonin e ardhshëm, çfarëdo që të ndodhë. Sepse ai dëshiron të vazhdojë, sepse beson se kjo është edhe dëshira e Florentino Pérez. E tha shumë qartë, në një mesazh që tingëllonte si bindje personale dhe me të cilin, ra fjala, i bën presion presidentit, përgjegjës për marrjen e këtyre vendimeve.
"Mendoj se Florentino dëshiron që unë të vazhdoj, sepse ka qenë gjithmonë shumë mbështetës dhe vazhdon ta bëjë këtë. Klubi është i qetë dhe jam i sigurt që do të jem këtu sezonin e ardhshëm, se do ta respektojmë kontratën".
Është e vërtetë që marrëdhënia personale mes presidentit të Real Madridit dhe trajnerit po kalon një moment të shkëlqyer, me një dialog të rrjedhshëm dhe të rregullt. Megjithatë, Carlo Ancelotti e di se dyshimet që kanë lindur këtë sezon për vazhdimësinë e tij kanë ardhur nga “zona fisnike”.
Tashmë, sidomos pas fitores 4-0 në “Camp Nou”, ato dyshime janë zbehur pak, por një muaj më parë vazhdimësia e tij në krye të të bardhëve nuk ishte aq e qartë. Ancelotti dëshiron me çdo kusht të vazhdojë te Real Madridi, sepse aty ndihet i lumtur. Ai e bëri të qartë sërish në konferencën për shtyp para duelit kundër Cádiz.
“Nga gjithçka që keni arritur në Madrid, për çfarë ndiheni më shumë krenar?” Kjo ishte pyetja “me spec” e gazetarëve, së cilës iu përgjigj: "Ndihem krenar për gjithçka. Deri më tani ka qenë një rikthim i suksesshëm dhe shpresoj se mund të vazhdojë kështu. Ajo që më bën më të lumtur është të kthehem në Valdebebas çdo ditë për të punuar".
Ancelotti këmbënguli në dashurinë që ndjen nga të gjithë në klub: "Drejtuesit më japin shumë dashuri çdo ditë, ata nuk kanë asgjë për të shtuar në këtë pikë. Ndihem shumë rehat". Ancelotti nuk guxoi të vinte një notë vlerësimi për sezonin e tij dhe ekipin në muajin prill.
Ai e merr të mirëqenë vazhdimësinë e tij në “Bernabeu”, por e di që nota përfundimtare varet nga titujt, padyshim: "Duhet të presësim për këtë. Vlerësimi përfundimtar bëhet në fund të sezonit. Mund të jetë një sezon i suksesshëm nëse gjithçka shkon mirë, ose një sezon me dyshime…"
Ancelotti është i përgatitur për stuhinë në rast se rezulton një sezon bosh. Ai tashmë e ka kaluar këtë gjatë gjithë karrierës së gjatë, është mësuar të merret me kritika, të cilat i ka vuajtur edhe kur gjërat kanë shkuar në drejtimin e duhur:
"Unë i dëgjoj kritikat, është normale. Ne jetojmë në një botë në të cilën ju keni për të dëgjuar se çfarë mendojnë tifozët, shtypi, klubi, lojtarët… Ka kritika që mund të kuptohen, të tjera jo… Kritikat mund të ndihmojnë dhe të japin ide për të qenë më i mirë në punën tënde”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





