Transmetuar më 13-04-2023, 07:38

Prishtinë- Qeveria e Kosovës ka marrë aprovimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje për bizneset. Vlera totale e mjeteve është 5.5 milionë euro dhe do të përfitojnë bizneset mikro, të vogla dhe të mesme.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sot ka prezantuar dhe ka marrë aprovimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje për bizneset.

Ky vendim shkon në favor të zbatimit të masës 2.2 që nënkupton mbështetje të bizneseve për qasje në financa.

Vlera totale e mjeteve është 5.528,00 euro dhe do të përfitojnë bizneset mikro, të vogla dhe të mesme.

“MFPT sjell për aprovim ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 2.2 të pakos për ringjalle ekonomike, përkatësisht mbështetja e bizneseve për qasje në financa. Këto mjete në vlerë prej 5.528.000 ndahen në kuadër të bashkëpunimit me fondin kosovar për garanci kreditore për të vazhduar mbështetjen e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”, ka thënë zëvendësministri i Financave, Resul Makreshi.

Sipas tij këto mjete ndahen në kuadër të bashkëpunimit me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për të vazhduar mbështetjen e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Vendimi u miratua me të gjitha votat pro.

Qeveria po ashtu ka ndarë 287 mijë euro për deputetët e legjislaturës së vitit 1990, të cilat do të ndahen proporcionalisht.

“I kemi ndarë 287 mijë euro, të cilat do të shpërndahen proporcionalisht sipas numrit të deputetëve, konform gazetës zyrtare të 2 korrikut 1990. Nëse përfituesit ka vdekur, kompensimi do t’i takojë bashkëshortit/bashkëshortës, fëmijët deri në 18 vjeç apo fëmijët që janë në studime deri në 26 vjeç”.

Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2022.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd