Transmetuar më 12-04-2023, 10:42

Pse të mos përsëritet si trajner ‘mrekullia’ e futbollit që ka arritur tashmë në vitin 2012 si futbollist? 11 vite më vonë, Frank Lampard vihet në sprovë sapo mori vendin e Graham Potter, të shkarkuar nga pankina e Chelsea.

Një situatë që i kujton kur luajti vetë dhe Roberto Di Matto u bë trajneri i ri i bluve në mars, duke zëvendësuar portugezin Andre Villas Boas. Kështu erdhën përmbysjet kundër Napolit dhe Barcelonës (në gjysmëfinale) në Ligën e Kampionëve dhe më pas fitorja e pabesueshme me penallti në finalen e Mynihut, që Bayerni pati fatin ta luante në shtëpi.

Pra, pse të mos shpresojmë që, duke filluar me sfidën e dyfishtë çerekfinale kundër kampionëve në fuqi, Real Madridit (edhe Barça, në atë kohë ishte e kampione e Europës në fuqi), mrekullia të përsëritet.

"Ka shumë për të bërë, por kurrë nuk i dihet, – janë fjalët e Lampard në prag të ndeshjes së parë kundër ‘merenguesve’ të Carlo Ancelottit. – Më kujtohet se parkuam autobusin në ‘Camp Nou’ dhe i thamë njëri-tjetrit se do të shkonim e të luftonim për jetët tona. Ne e mbajtëm presingun e madh dhe në fund ia dolëm.

Sekreti ishte se ne kishim një dëshirë të madhe, po aq karakter dhe nivel të lartë talenti në një grup që luftoi për vite të tëra të fitonte një Champions League dhe në fund ia doli. Koncepti është i vlefshëm edhe sot, – shton Lampard. – Një ekip dhe një grup gjithmonë do të kalojë kohë të vështira për t’u bërë i madh".

Për të arritur rezultatin pozitiv në ‘Bernabeu’, Lampard ka ‘vënë bast’ te Sterling, i cili ka vuajtur shumë që kur u largua nga Manchester City vitin e kaluar, duke shënuar vetëm 7 gola deri më tani për Chelsea: "Ai ka qenë një nga anësorët më të mirë në botë, për një kohë të gjatë. Ndonjëherë, ndoshta sipas mendimit të disa njerëzve, ishte më i miri.

Nuk më kujtohet se sa herë iu kam thënë sulmuesve të rinj: shikoni Raheem Sterling dhe zbuloni pse ai shënon 20 gola në sezon. Personalisht mendoj se ai është një lojtar i madh, ndaj e llogaris për sfidën ndaj Real Madridit”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd