Transmetuar më 11-04-2023, 12:55

Në stadiumin “Da Luz”, Interi i Simone Inzaghit do të sfidojë sonte Benfica, ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Champions League. Loja do të startojë në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga gjyqtari anglez Oliver.

Pra, “shqiponjat” e Lisbonës dhe zikaltrit e Serie A do të përballen në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Do të jetë takimi i katërt mes luzitanëve dhe zikaltërve në kompeticionet evropiane dhe i pari që nga 1/8 finale të Kupës UEFA 2003-2004.

Benfica nuk ka fituar asnjë nga tri përballjet e mëparshme me zikaltrit, duke regjistruar një barazim dhe dy humbje. I vetmi precedent ndërmjet Benfica dhe Interit mes Kupës së Europës dhe Champions League daton në vitin 1965, kur skuadra italiane fitoi 1-0, në finalen e luajtur në “Giuseppe Meazza”.

Benfica kaloi pa probleme Club Brugge në 1/8 finale të këtij edicioni, ndërsa Interi eliminoi një tjetër rival portugez, Porton.

Formacionet – Inzaghi fokusohet në dyshen sulmuese të përbërë nga Dzeko dhe Lautaro, të mbështetur nga Dimarco dhe Dumfries nga jashtë, si dhe treshja e mesfushës Barella-Brozovic-Mkhitaryan. Mbrojtja me tre do të përbëhet nga Darmian, Acerbi dhe Bastoni përpara portierit Onana. Për shkaqe dëmtimesh mbeten ende jashtë Skriniar dhe Calhanoglu.

Trajneri gjerman i Benfica, Schmidt, i qëndron besnik skemës 4-2-3-1 me Vlachodimos mes shtyllave dhe katërshen e pasme të përbërë nga Gilberto, Silva, Morato dhe Grimaldo. Te luzitanët mungon lideri i mbrojtjes, Otamendi, i skualifikuar për këtë ndeshje.

Një ish-lojtar zikaltër do të jetë në radhët e formacionit në Benfica, pikërisht Joao Mari, që me Rafa Silva dhe Chiquinho do të formojë mesfushën pas Gonçalo Ramos. Nga krahët, po në mesfushë do të patrullojnë Florentino Luis dhe Aursnes.

Ja formacionet e mundshme:

BENFICA (4-2-3-1): Vlachodimos; Gilberto, Antonio Silva, Verissimo, Grimaldo; Florentino, Chiquinho; Aursnes, Joao Mario, Rafa Silva; Goncalo Ramos.

INTERI (3-5-2): Onana; Darmian, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Brozovic, Mkhitaryan, Dimarco; Dzeko, Lautaro Martinez.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd