
Dalin pamjet me video të vendosjes së tritolit të makinës së kryetarit të PD Vau i Dejës, Bernard Ndreca.
Në video shihet se si dy autorët vendosin për 7 minuta tritolin në makinën dhe më pas makina shpërthen sapo mjeti nis që të lëvizë.
Një grua që ndodhej para mjetit dhe Ndreca që ndodhej në timon kanë shpëtuar për mrekulli.
Siç shihet dhe nga pamjet shpërthimi ka qenë i fuqishëm, ndërsa pak metra më tutje ndodhej dhe një familjare e Ndrecës, e cila ka shpëtuar pa lëndime.
Kreu i Partisë Demokratike në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca e ka quajtur një sulm politik, vendosjen e tritolit në mjetin e tij në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në një deklaratë ku shfaqej në krah të kandidatit për Bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila, Ndreca hodhi akuza për implikimin e policisë me përfaqësues politik.
Ndreca u shpreh se nga kamerat e sigurisë janë pikasur dy persona, që në një kohë për rreth 7 minuta kanë vendosur lëndën plasëse në pjesën e përparme të mjetit.
Bernard Ndreca: Nga kamerat duken dy persona të maskuar që vendosin lëndën plasëse. Sulmi ndaj meje është politik, pasi unë nuk kam konflikte me askënd. Në Zonën e Vaut të Dejës dihet që përzihet politika me policinë, i bëj thirrje çdolloj krahu politik, kurrë nuk mundet me e mbajt një bashki as me presione dhe as me një gjë tjetër. Në momentin që makina ka lëvizur nga vendi ndodhi shpërthimi.
Zef Hila: Akt kriminal ndaj kreut të PD Vau Dejës, të merren masa që ky rast të zbardhen edhe autorët. I bëj thirrje kryeministrit dhe ministrit të brendshëm të reagojnë menjëherë për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Greta Bardeli: Ngjarje e rëndë. Kjo ngjarje mafioze kriminale ka 1 emër, atyre që nxisin gjuhën e urrejtjes. I bëj thirrje osbe odihr që të jenë të pranishëm në Qarkun e Shkodrës 30 ditë para zgjedhjeve. Nuk janë shenja të mira për zgjedhjet lokale dhe demokracinë. Si drejtuese politike bëj thirrje policisë dhe prokurorisë që të zbardhë ngjarjen. Demokratët nuk friksohën.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





