Transmetuar më 08-04-2023, 08:27

Carlo Ancelotti u shfaq në sallën e shtypit edhe më i buzëqeshur se zakonisht. Nuk ka dyshim se përmbysja 4-0 e Barcelonës në gjysmëfinalet e Kupës së Mbfretit ka qenë shumë e mirë për moralin e Real Madridit, gjë që jep ndjesinë e aktivizimit të butonit të shpejtësisë së “lundrimit” për fazën e fundit të sezonit.

"Ne nuk do të heqim dorë nga La Liga, për sa kohë që matematika na lejon", – paralajmëron “Carletto”, i cili përfitoi nga dita e pushimit pas sfidës ndaj Barcelonës për të shkuar në “Casa de Campo” me biçikletë, bashkë me gruan e tij.

Nuk ka dyshim se ai është i lumtur në Madrid: "Unë nuk do të ndryshoja stolin me Xavi për asgjë në botë. Së pari sepse nuk munda të drejtoja Barcelonën dhe më pas sepse jam plotësisht i lumtur këtu. Unë jam në klubin më të mirë në botë, ndihem shumë i dashur këtu…”

Carlo Ancelotti do të sfidojë nesër Villarrealin në “Bernabéu” (prej orës 21:00). Një duel që vjen pasi Real Madridi u kualifikua në finalen e “Copa del Rey” duke përmbysur Barcelonën 4-0, pasi e kishte humbur gjysmëfinalen e parë 1-0 në shtëpi:

“Skuadra ka pak lodhje, por nuk shoh asnjë problem. Të gjithë, përveç Mendy, janë në dispozicion për nesër. Ne duhet t’i vlerësojmë lojtarët dhe të nxjerrim në fushë formacionin më të mirë, sepse duam të fitojmë. Duam të vazhdojmë të luftojmë për titullin e La Liga-s deri në fund.

Jam i qetë, disponimi im varet nga mënyra se si është ekipi. Unë i shoh mirë djemtë. Në planin personal, pas ndeshjeve të zjarrta si ajo ndaj Barcelonës je aq i lodhur, sa nuk ke dëshirë të jesh i lumtur. Më mirë ji i qetë. Të mërkurën ka pasur shumë presion. Pas ndeshjeve të tilla thjesht dëshiron të pushosh”.

Me “spec” ishte pyetja se sa ndeshje ka luajtur dhe ku e vendos fitoren e fundit 4-0 ndaj Barcelonës për trajnerin italian. Ancelotti nuk u vu në vështirësi, gjithsesi: “1272 ndeshje. Nesër është e 1273-ta. 4-0 erdhi në gjysmëfinale, më e rëndësishme është finalja e Kupës së Mbretit.

Me këtë rast i hoqëm mundësinë e një trofeu Barcelonës. Në nivel futbolli e shoh veten në një vend të lartë, në dhjetëshen e parë, duke marrë parasysh që kam luajtur shumë finale. Para ndeshjes kundër Barçës e shikova numrin e ndeshjeve të mia në karrierë (lojtar dhe trajner), sepse e dija që ishte afër 1300.

Përmbysja 4-0 ndaj Barcelonës, a dëshmoi sërish taktikën fituese timen? Sinqerisht, mendoj se pas 1272 ndeshjeve nuk kam pse t’i dëshmoj asgjë askujt. Ditën pas përmbysjes në “Camp Nou” e shijova shumë. Shkova me gruan time në ‘Casa de Campo’ mbi biçikletë dhe kalova shumë mirë.

A ndihem i rrezikuar në postim tim si trajner i Real Madridit? Jo. Puna ime është të jem në qendër të vëmendjes, e di. Meqë ra fjala, tashmë do të kompletoj rreth 2500 konferenca shtypi, më lini të qetë (qesh)”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd