
Sali Berisha ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj, duke denoncuar se ai po pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit. Këtë akuzë Berisha e argumenton me faktin se pronar kryesor me dokumente i inceneratorit të Tiranës figuron Bruno Preseci, sipërmarrës në Iran.
Për Berishën lidhja e Veliajt me Iranin është e vjetër, ndërsa thotë se kryebashkiaku udhëton shpesh drejt Teheranit dhe këto janë denoncuar nga shërbime të vendeve partnere
“Të dhëna të qarta lidhin djegësin e Tiranës, Erion Veliajn me Bruno Presecin dhe Ali Aliabadin, ish-komandantin e Pasdaran, tani sipërmarrës i madh në Iran, nën sanksione ekonomike të BE dhe SHBA.
Unë e kam denoncuar këtë lidhje me Iranin të Erion Veliajt, siç jeni ju dëshmitarë. Erion Veliaj nuk ka guxuar kurrë të përgënjeshtrojë qoftë edhe njëherë të vetme, denoncimin e kësaj lidhje të rrezikshme për Shqipërinë.
Lidhja e Erion Veliajt me Teheranin nuk është e re. Daton 15-20 vjet më para.

Udhëtimet e tij të shpeshta janë denoncuar nga shërbime të vendeve partnere. Unë i kam denoncuar ato publikisht. Tani rezulton se pronar kryesor në dokumente i kompanisë së inceneratorit të Tiranës është Bruno Preseci, i cili në fakt ka për ortak një kompani që thuhet se është po e tij.
Pra, në dokumente ai figuron ortak me 43 %, por duke pasur parasysh se kompania tjetër italiane, thuhet se është po e tij, ai shkon në 80 % aksioner i kompanisë së Erion Veliajt”, tha Berisha.
Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se për këtë çështje është e nevojshme hetimi ndërkombëtar, ndërsa shtoi se Veliaj ndan me Bruno Presecin paratë e inceneratoerit të Tiranës.
“Gabriele di çdo gjë, siç din shoferi i tij, Miliad Lopa. Miliadi në fakt është konfident i Brunos. Miliadi është një qytetar shqiptar që udhëton disa herë në muaj në Teheran. Miliadi është fluent në farsi dhe është inxhinier elektronik. Por, ka bërë shoferin e Gabrieles.
Mafia funksionon si organizatë me rregulla shumë të veçanta. Miliadi me Ersin kishin një shtëpi bari gjigante dhe janë të gjithë dokumentet për këtë, për shtëpinë e barit. Të gjitha këto u mbyllën duke përzënë Gabrielen nga Shqipëria. Por Gabrieli di shumë.
Inceneratori i çmontuar në Konstancë dhe i sjellë në Shqipëri, njëlloj si i Elbasanit, që tani është hekurishte dhe nuk punon më, hapën tender për 4 milionë sërish. Tani del që këtë tjetrin e fshehin për shkak të Gabrieles. Nuk tregojnë se ku është.
Pra, Erion Veliaj merr në kundërshtim flagrant me kontratën, me 29 euro një ton pleh, taton qytetarët e Tiranës, në një kohë kur kjo tarifë është për djegien e tyre. Paratë i ndan me Bruno Presecin dhe iranianët.
Ekzistojnë dyshime shumë të forta se Erion Veliaj, Miliad Lopa dhe Bruno Preseci riciklojnë paratë e Pasdaran dhe kompanisë së Gardës Revolucionare të Iranit. Pasi Ali Aliabadi është një ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe tani sipërmarrës i madh në Iran, që e ka të gjithë partneritetin me qeverinë.
Hetimi ndërkombëtar i kësaj afere është një domosdoshmëri jo vetëm pse kemi të bëjmë me falangat mafioze të Shqipërisë, por edhe të dy kontinenteve”, tha Berisha.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





