Transmetuar më 05-04-2023, 14:46

Barcelona do të përballet sonte me Real Madridin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, me dy objektiva në mendjen e saj: arritjen në finalen e këtij kompeticioni dhe shtimin e një fitoreje në shtëpi, që do t’i lejojë të arrijë një seri triumfesh që kurrë më parë në histori nuk i kishte arritur kundër ekipit të bardhë.

Ndeshja e dytë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit do të jetë "El Clásico" e pestë në këtë sezon (2022-2023) dhe blaugrana-t kanë mundësinë të regjistrojnë katër fitore radhazi për herë të parë në historinë e tyre, në një sezon të rregullt, kundër të bardhëve.

Pavarësisht se "Los Blancos" mbizotëruan në ndeshjen e parë të sezonit (Real Madrid-Barça), tri përplasjet më të fundit mes dy skuadrave rezultuan me fitore të katalanasve, të cilët tani kanë mundësinë të arrijnë fitoren e tyre të katërt për të ruajtur rekordin e tyre të pamposhtur në vitin 2023 kundër madridistëve

Këto kanë qenë rezultatet e "El Clásico" këtë sezon:

Barcelona-Real Madridi 2-1 (La Liga)

Real Madrid-Barcelona  0-1  (ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit)

Real Madrid-Barcelona 1-3 (Finalja e Superkupës së Spanjës)

Real Madrid-Barcelona 3-1 (La Liga)

I vetmi sezon i rregullt në të cilin Barcelona arriti katër fitore kundër Real Madridit ishte ai 1982-1983, plot 40 vite më parë. Edhe pse atë numër fitoresh e arriti jo radhazi. Në atë sezon (1982-1983), Real Madridi dhe Barcelona u takuan pesë herë: në dy ndeshje të La Liga-s, në finalen e Kupës së Mbretit dhe në finalen me dy ndeshje të Kupës së Ligës së Parë. Mirëpo, ndryshe nga ky sezon, blaugrana-t mbetën të pamposhtur ndaj të bardhëve asokohe.

Pra, Xavi aspiron të marrë "stafetën" nga Guardiola. Trajneri i fundit i skuadrës katalanase që arriti katër fitore radhazi ndaj Real Madridit ishte Pep Guardiola. Megjithatë, ai e bëri këtë midis sezoneve 2008-2009 dhe 2010-2011, jo në një sezon të vetëm.

Këto ishin rezultatet e pesë fitoreve radhazi të Barçës në "El Clásico":

Barcelona-Real Madrid  5-0  (La Liga 2010-2011)

Real Madrid-Barcelona 0-2  (La Liga 2009-2010)

Barcelona-Real Madrid 1-0  (La Liga 2009-2010)

Real Madrid-Barcelona 2-6  (La Liga 2008-2009)

Barcelona-Real Madrid 2-0  (La Liga 2008-2009)

Tani Xavi ka mundësinë të arrijë fitoren e tij të katërt radhazi kundër një skuadre të Real Madridit, që tashmë e di se si është të luash një gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Barcelonës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd