
Carlo Ancelotti trajtoi shumë çështje në intervistën me Dazn, dhënë për gazetaren Diletta Leotta. Një karrierë shumë e gjatë, e cila vazhdon ende, në të cilën “Carletto” ka pasur mundësinë të stërvitë praktikisht të gjithë kampionët më të mëdhenj të futbollit.
Por janë dy prej tyre, që trajneri italian nuk e ka pasur kurrë kënaqësinë t’i stërvitë dhe kjo ndoshta përbën një keqardhje të vogël për të: "Nuk e kam trajnuar Francesco Tottin, më mungon në listën e kampionëve të mëdhenj që kam pasur në dispozicion edhe Messi.
Sidoqoftë, kam stërvitur shumë prej tyre. Ky është dhe vazhdon të jetë një udhëtim i gjatë për mua. Kur je trajner nuk merresh vetëm me futbollistin, por njeriun pas tyre, sepse në fund të fundit janë të gjithë qenie humane me problemet e tyre, që herë i tregojnë dhe herë jo.
Janë futbollistë të një brezi tjetër nga i imi, të cilët kanë probleme të ndryshme nga unë. Kjo është edhe bukuria e punës së trajnerit”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





