Transmetuar më 04-04-2023, 11:09

Fjalë të ashpra nga Emmanuel Petit kundër tifozëve të PSG-së. Ish-mesfushori i Monaco, Arsenal, Barcelona dhe Chelsea kritikoi ashpër protestat kundër Leo Messit, para ndeshjes së Ligue 1 kundër Lyon, të dielën e kaluar.

Për mikrofonat e RMC Sport, kampioni i botës më 1998 nënvizoi: "Kur dëgjoj këto vërshëllima, për mua janë fyerje për futbollin. E di që sot ka vetëm një tufë tifozësh që mendojnë vetëm të jargaviten për Neymar dhe Messi…

Kam një këshillë për Messin: largohu nga ky klub! PSG nuk është një klub futbolli për ty, është një klub para ‘pensionimit’, edhe për lojtarët 20-vjeçarë. Nuk ka lojtar që ka përparuar që kur ka qenë te PSG, edhe për këtë fajin e ka Messi?

Ai është mjeshtër, i takon të ketë lojtarë rreth tij që vrapojnë. E shikoni Verratti e të tjerë që kërkojnë gjithmonë topin në këmbë dhe kurrë nuk përfshihen në lojë sa duhet. Trajneri Galtier ka të drejtë kur thotë që iu takon të tjerëve t’i bëjnë këto gjëra.

Vetëm tifozët parizienë nuk e kuptojnë se duhet të kenë një skuadër rreth Messit, të cilën ata nuk e kanë dhe nuk do ta kenë, sepse drejtuesit e tyre janë nul në merkato”.

Ndërkohë, sipas "L’Equipe", Lionel Messi do të largohet nga PSG gjatë kësaj verë, nëse nuk pranon ulje të konsiderueshme të pagës. 35-vjeçari ishte i prirur për rinovimin e kontratës me parizienët pas Kupës së Botës, por javët e fundit situata ka ndryshuar.

Messi tani është shumë afër largimit nga "Parce des Princes". Kapiteni i Argjentinës është i lidhur me rikthimin tek ish-klubi i tij, Barcelona. Gjithashtu, Messi kërkohet nga klube të Arabisë Saudite dhe MLS e SHBA.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd