Transmetuar më 03-04-2023, 09:29

Luciano Spalletti komplimentoi Milanin për fitoren e mbrëmshme 4-0 në stadiumin “Maradona”. Trajneri i Napolit e pranon nokautin në shtëpi me sportivitet: "Milani bëri një paraqitje të shkëlqyer, e filloi fuqishëm, përfitoi nga të gjitha situatat që i lejuam.

Kuqezinjtë bënë shkëlqyeshëm, i përdorën hapësirat në mënyrë korrekte. Ne luajtëm nën nivelin tonë. Gjithashtu duhet thënë se nuk patëm fat me kombëtaret, shihni dëmtimin e Osimhen".

Spalletti shpjegoi edhe atë që ndodhi në tunelin e dhomave të zhveshjes në fund të pjesës së parë mes tij dhe Paolo Maldinit: “Po kthehesha në dhomat e zhveshjes dhe po pyesja për kartonin e verdhë të Lobotkës, arbitri po ma shpjegonte.

Paolo kaloi duke bërë me dorë si për të thënë se ‘gjithmonë po ankohesh’. Ky fakt që po fliste për mua, se cilat ishin diskutimet e mia me kryesorin e ndeshjes, nuk më pëlqeu.

Ia thashë këtë dhe ai natyrshëm reagoi disi. Nga ana ime gjithçka është në rregull, në fakt më vjen keq, sepse po flasim për Paolo Maldinin. Janë gjëra të pakëndshme”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd