Transmetuar më 02-04-2023, 20:32

TIRANË- Serija është një nënë që ka sjellë djalin e saj në “Shihemi në Gjyq”. Në insertin prezantues të rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ajo shfaqet duke dënesur. Ajo shprehet se prej 18 vjetësh ka paguar një shtëpi me kredi dhe ka vuajtur vetëm për t’i ofruar fëmijëve një jetë më të mirë.

Juliani ka arritur t’ia marrë përmes një mashtrimi, nis të konfliktohet edhe me ndërmjetësen Eni Çobani. Ai refuzon t’i kthejë shtëpinë nënës dhe i kërkon asaj para, kur në fakt shtëpia është blerë prej Serijes. I nxehur nga situata, ai i drejtohet Eni Çobanit dhe i thotë të mos ndërhyjë ose nuk do të përfundojë mirë.

Julian: Edhe ti zonja Eni, dëgjo këtu, mos ndërhy shumë në jetën time se nuk do ndahemi bashkë mirë.

Eni Çobani: Çfarë thua? Mua ma drejton atë gishtin ti? Me kë s’do ndahesh mirë, me mua?

Julian: Me ty, po.

Eni Çobani: Je në publik, je live, po dëgjohesh nga e gjithë Shqipëria, po të them edhe njëherë bëj kujdes se je përpara ligjit. Pra mua gishtin dhe fjalë të tilla nuk mund të m’i drejtosh. As të jam futur në jetën tënde, as kam ndërmend të futem në jetën e askujt.

Por shtëpinë që i ke mashtruar mamasë do ta kthesh bashkë me atë zonjën që ke në Itali, kaq po të them. Tani kjo zonja që ka punuar 29 vjet në tregun e Korçës, që ju ka bërë juve djemve me banesa, ti t’i thuash më jep paratë dhe pastaj të jap shtëpinë, djalë të tillë unë s’kam dëgjuar ndonjëherë! Serije: Filloj të qaj natë-ditë dhe nuk ngopem. U kalba në dëborë dhe në shi vetëm që t’i plotësoja kushtet atyre fëmijëve. 18 vjet vetëm me kredi, kam lënë shtëpinë time atje. Paguaja nga 600 mijë Lekë kredi dhe unë dëshiroja që ta mbyllja ditën vetëm me një byreçkë. E liga që të vjen nga fëmija nuk të vjen as nga Perëndia.

Edhe kur hyn në studio, Serija vazhdon të ngashërehet dhe sqaron se problemi qëndron vetëm me njërin prej djemve.

Ardit Gjebrea: Ti the që ke sakrifikuar shumë për fëmijët apo jo?

Serije: Jashtë mase kam sakrifikuar zoti Ardit.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë keni ju?

Ardit Gjebrea: Por ti problemin e ke me të fundit?

Serije: Po, me djalin e vogël.

Serija nis të rrëfejë në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kredia e shtëpisë për Julianin është mbyllur vetëm 4 vjet më parë. Asokohe, Serija pati probleme shumë të rënda shëndetësore.

Serije: Kur mora të këtij, unë u sëmura me tension në sy, me aritmi, nga variçet, me trombozë po dhe kur të arrijë puna do jua sjell të tëra me karta këto që kam bërë. Shqetësimi i madh që unë u sëmura dhe fillova të vija këtu.

Si ia mora hyrjen këtij, desha t’ia mobiloja të tëra përnjëherë që t’i ngjisja lart dhe të mos vuanin për fijen e shkrepëses. Unë për veten time kam vuajtur shumë. Nuk kam nga t’ia nis se i kam vuajtur vetë dhe nuk desha që të vuanin djemtë as për kaq. Iu kam marrë shtëpi, iu kam nxjerrë patentat, iu kam blerë makina, i kam rritur me gjakun e trupit. I kam rritur e kam punuar si qeni.

Juliani tenton të ndërpresë nënën, por ndërhyn moderatori Ardit Gjebrea duke i kërkuar të respektojë gjendjen, dhimbjen dhe sakrificën e saj sepse gjatë gjithë rrëfimit Serija ngashërehet.

Serije: Pastaj si u sëmura që vija për operacion këtu, mendoja vetëm për bankën, thoja bobo si do ta laj. Unë i merrja mjekimet që t’i bëja në shtëpi, unë i bëja në Pazar se mua më njihnin në Pazar klientët. Rrinte afër meje djali, por këtë nuk e njihte njeri. E pyesnin “ku e ke mamanë”, “nuk është”, i thoshte ky. Ato i thoshin “do vijmë të marrim kur të vijë mamaja”. Dilja nga e keqja, iu thosha klientëve jam e sëmurë, po lë djalin.

Eni Çobani: Çfarë shisnit ju zonja Serije?

Serije: Erëza shisja unë. Rigon.

Eni Çobani: Pra 29 vjet ju keni shitur erëza apo jo?

Serije: Malet e Gjirokastrës e të Përmetit, deri në Memaliaj të Tepelenës i kam gjezdisur vetë moj Eni sa më mbeteshin duart nëpër dafina moj Eni, më varej lëkura kështu.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd