Transmetuar më 23-03-2023, 15:28

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar ditën e sotme ankimimin e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha për regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Enkelejd Alibeajn në zgjehdjet e 14 majit.

Ankimimi ishte depozituar në KAS pak ditë më parë dhe PD e Berishës kërkonte kundërshtimin e vendimit të KQZ që kishte regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, PD e Enkelejd Alibeajt në cilësinë e kryetarit të komanduar.

Njoftimi i KAS:

KAS rrëzoi sot kërkesën ankimore nr. 36, me objekt “Kundërshtimi i vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nr. 179, datë 18.03.2023 dhe ndryshimin e këtij vendimi, duke vendosur: Pezullimin e regjistrimit të subjektit “Partia Demokratike” me nënkryetar z. Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, deri kur Kolegji Zgjedhor të jetë shprehur me vendim përfundimtar për ankimimin e subjektit “Partia Demokratike e Shqipërisë” e përfaqësuar nga Kryetari z. Sali Berisha”.