Transmetuar më 23-03-2023, 12:08

Federata Holandeze e Futbollit thotë se pesë lojtarë të skuadrës së saj kombëtare, të grumbulluar nga e diela  për t’u përballur me finalisten e Kupës së Botës, Francën, në ndeshjen e tyre hapëse kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024, janë dërguar në shtëpi, pas prekjes me një infeksion viral.

Sulmuesi i Liverpool, Cody Gakpo, mbrojtësi i Bayern Munich, Matthijs de Ligt, së bashku me Sven Botman, Joey Veerman dhe Bart Verbruggen u larguan nga kampi stërvitor i ekipit portokalli.

Federata nuk dha detaje për virusin, që ka “palosur” gjysmën e kombëtares, duke llogaritur se më herët, këtë javë, ishin larguar edhe dy titullarë të tjerë për shkak lëndimesh.

Largimet janë një tjetër goditje për trajnerin Ronald Koeman përpara ndeshjes së parë të mandatit të tij të dytë në krye të kombëtares portokalli. Tashmë, këtë javë, mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong dhe anësori i Ajax, Steven Bergwijn u larguan për shkak të lëndimeve.

Holanda do të luajë të premten me Francën në “Stade de France”, një ndeshje kualifikuese e Grupit B të “Euro 2024”, përpara se të kthehet në shtëpi për t’u përballur me Gjibraltarin, të hënën, në Roterdam.