Transmetuar më 22-03-2023, 20:38

Mali i Zi- Krim,i i lidhur me strukturat e policisë edhe në Malin e Zi.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Dejan Knezheviç është arrestuar në një aksion të Departamentit Special të Policisë së Malit të Zi, pasi akuzohet për grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera.

Mediet malazeze raportojnë se anëtarët e Departamentit Special të Policisë (SPO) arrestuan Knezheviçin me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit. Sakaq, informacioni për arrestimin e Knezheviç është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Shtetit, Vukas Radonjiç.

“Në vazhdimësi të aksionit që Departamenti Special i Policisë ndërmerr së bashku me Prokurorinë Speciale të Shtetit, dhe në bazë të hetimeve disa mujore dhe koordinimit mes të Prokurorisë Speciale të Shtetit, Departamentit të Policisë Speciale dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim të Organeve të Ligjit – Europol, sot është privuar nga liria ushtruesi i detyrës së ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Policisë për Sektorin Kundër Krimit, D.K., nën dyshimin se ka kryer veprën penale të krijimit të një organizatë kriminale dhe vepra të tjera penale”- tha Radonjiç, duke theksuar se Prokuroria Speciale e Shtetit pritet të japë më tepër detaje në orët në vijim.

Dejan Knezheviç është një punonjës dhe zyrtar i vjetër i Drejtorisë së Policisë. Më parë ka drejtuar Departamentin për Luftën kundër Kontrabandës së Drogës. Ai u emërua në postin e zv.drejtorit të Drejtorisë së Policisë për Krimin e Organizuar në fillim të marsit të vitit 2021. Mandati i Knezheviç në atë detyrë iu zgjat disa javë më parë.