Transmetuar më 19-03-2023, 20:25

TIRANE – Partizani bind dhe rikthehet në krye të Kategorisë Superiore. Të kuqtë arritën një fitore fantastike në shtëpi përballë Kastriotit me rezultatin e thellë 4-1.

Skuadra e Giovanni Colella-s ishte më kërkuese që në startin e ndeshjes, por rrugën e rrjetës e gjetën vetëm në minutën e 35′-të me Tedi Carën. Ishte Rrapaj ai që lëshoi një gjuajtje të fortë, e cila nuk u kontrollua saktë nga portieri dhe Cara përfitoi për ta dërguar topin në rrjetë.

Vetëm pesë minuta më pas, Partizani realizoi edhe të dytin me Masanga Matondon. Mesfushori shënoi një gol spektakolar, me një goditje fantastike nga jashtë zonës.

Pa u mbyllur pjesa e parë u realizuan edhe dy gola të tjerë. Fillimisht miqtë ngushtuan diferencën me Mihanën, i cili realizoi pas asistit të Karakacit.

Por të kuqtë në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë realizuan edhe të tretin me Remzifaik Selmanin. Për 25-vjeçarin ishte goli i parë që prej transferimit në merkaton dimërore.

Fraksioni i dytë i shërbeu Partizanit për të menaxhuar rezultatin dhe pse jo për ta thelluar atë. Golin e katërt për të kuqtë e realizoi Christian Mba, i cili shfrytëzoi maksimalisht kundërsulmin e “të kuqve”.

Pas këtij triumfi Partizani rimerr vendin e parë me pikë të barabarta me Tiranën, por “demat” kryesojnë renditjen falë dominimit në ndeshjet direkte kundër bardhebluve. Ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e fundit me 24 pikë.